Ndërprerja e IPARD thelloi hendekun e bujqësisë shqiptare me Rajonin
Ndërprerja e programit IPARD ka ulur ndjeshëm mbështetjen për investime në bujqësinë shqiptare, duke e lënë vendin me një nga nivelet më të ulëta të financimit për modernizimin e sektorit në rajon.
Banka Botërore vlerëson se ndërprerja e zbatimit të IPARD reduktoi ndjeshëm disponimin real të fondeve për investime, ndërsa financimi i munguar nuk u zëvendësua nga skemat kombëtare në vitin 2023. Megjithëse fondet e alokuara nga Bashkimi Europian mbetën në dispozicion, ato nuk mund të përdoren për financimin e investimeve nga vendi ynë në kushtet e ndërprerjes së programit.
Për pasojë, grantet për investime dhe masat e zhvillimit rural pothuajse u zhdukën nga struktura e mbështetjes bujqësore, ndërsa buxheti i Shqipërisë u përqendrua kryesisht te subvencionet afatshkurtra për kostot e prodhimit, veçanërisht karburantin dhe mbështetjen e kufizuar për blegtorinë.
Fondet IPARD kanë rëndësi të veçantë për bujqësinë, pasi mbulojnë përmes granteve të pakthyeshme nga 50% deri në 70% të kostove të pranueshme të investimeve. Ato mund të përdoren për modernizimin e fermave, blerjen e pajisjeve, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, diversifikimin e aktiviteteve rurale dhe zhvillimin e zinxhirëve të prodhimit ushqimor.
Mungesa e aksesit në këto fonde rëndon veçanërisht mbi fermerët dhe sipërmarrjet e vogla, që kanë mundësi të kufizuara për të financuar investimet me kredi.
Sipas Bankës Botërore, tregu shqiptar i financimit bujqësor vazhdon të karakterizohet nga fragmentimi i fermave, informaliteti dhe problemet me kolateralin. Bankat përqendrohen kryesisht te bizneset më të mëdha agro-ushqimore, ndërsa institucionet mikrofinanciare mbulojnë një pjesë të rëndësishme të kreditimit rural, me norma interesi që mund të tejkalojnë 20%.
Në mungesë të financimit nga IPARD dhe me garanci të kufizuara nga shteti, mundësitë për investime mbeten të pakta, sidomos për fermerët e vegjël.
Sipas studimit, ndërprerja e IPARD ka nxjerrë më në pah dobësinë e skemave kombëtare, të cilat ndryshojnë shpesh nga një vit në tjetrin dhe nuk ofrojnë parashikueshmëri për investimet afatgjata.
Përveç ndikimit financiar, mungesa e zbatimit të IPARD pengon edhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Banka Botërore thekson se agjencitë e akredituara për administrimin e fondeve europiane kanë luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e procedurave, disiplinës financiare, transparencës dhe sistemeve të kontrollit në vendet e rajonit.
Për Shqipërinë, raporti rekomandon rikthimin e një kuadri të qëndrueshëm mbështetjeje për investimet dhe marrjen e akreditimit për IPARD, duke i konsideruar këto ndër prioritetet strategjike të politikës bujqësore.
Për periudhën 2021–2027, Bashkimi Europian ka parashikuar gjithsej 560 milionë euro për programin IPARD III në katër vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Komisionit Europian, pjesën më të madhe e ka Serbia, me 288 milionë euro, e ndjekur nga Shqipëria me 112 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 97 milionë euro dhe Mali i Zi me 63 milionë euro.
Megjithatë, ndryshe nga tri vendet e tjera, Shqipëria nuk e ka nisur ende zbatimin e IPARD III, për shkak të mungesës së autorizimit për administrimin e fondeve. Banka Botërore vlerëson se ndërprerja e programit ka reduktuar ndjeshëm financimin për investime në bujqësinë shqiptare, pa u kompensuar nga skemat kombëtare./ B.Hoxha