E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Reagon Brukseli: Konferenca e radhës ndërqeveritare mund të jetë më 15 dhjetor

Reagon Brukseli: Konferenca e radhës ndërqeveritare mund të jetë më 15 dhjetor

Shqipëria ishte në axhendën e diskutimeve të Bashkimit Evropian të premten, 13 nëntor, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.

Në Bruksel u zhvillua një mbledhje e Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, ku u shqyrtuan disa prej kapitujve të negociatave për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Për Shqipërinë, në rendin e ditës ishin diskutimet mbi qëndrimet e përbashkëta të BE-së për tre kapituj të rëndësishëm të negociatave. Konkretisht, Kapitulli 7, që lidhet me të drejtën e pronësisë intelektuale, Kapitulli 6 për të drejtën e shoqërive tregtare, si dhe Kapitulli 13, që përfshin peshkimin dhe akuakulturën.

A2CNN pyeti Bashkimin Europian nëse ka një vendim lidhur me qëndrimet e përbashkëta të BE-së për këta tre kapituj.

Sipas BE-së, “nevojitet ende punë e mëtejshme për të tre kapitujt”.

“Megjithatë, është shënuar njëfarë progresi për Kapitullin 7 (pothuajse një e katërta e shteteve anëtare kanë dhënë miratimin e tyre, por vetëm për këtë kapitull të veçantë). Ndërsa qëndrimet e Përbashkëta të BE-së për Kapitujt 6 dhe 13 janë ende në një fazë shumë të hershme të negociatave, pasi deri më tani asnjë shtet anëtar nuk ka dhënë miratimin për to. Delegacioneve u është kërkuar të paraqesin komente të mëtejshme për të tre projektqëndrimet e Përbashkëta të BE-së (Kapitujt 6, 7 dhe 13). Presidenca do të paraqesë tekstet e rishikuara të kompromisit gjatë ditëve në vijim”, ishte përgjigjja e BE-së.

A2CNN pyeti edhe për datën paraprake për Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare.

Sipas BE-së, “është në fakt e vështirë të bëhet një parashikim, pasi është ende shumë herët për të dhënë një vlerësim të tillë”.

“Nëse shënohet progres i konsiderueshëm gjatë javëve në vijim, Presidenca mund të synojë datën e mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC), më 15 dhjetor. Megjithatë, për momentin, kjo duket një objektiv tepër ambicioz”, shprehet BE-ja.

Lini një koment