E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Qarkullonte me pistoletë në Vlorë, arrestohet 23-vjeçari! Në pranga edhe shoferi 37-vjeçar

Qarkullonte me pistoletë në Vlorë, arrestohet 23-vjeçari! Në pranga edhe shoferi 37-vjeçar

Një 23-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi qarkullonte me pistoletë pa leje, ndërsa në pranga ka rënë edhe shoferi 37-vjeçar që e transportonte, për moskallëzim krimi, siç njofton Shqiptarja.com.

Arrestimet u kryen gjatë operacionit të koduar “Siguria”, të organizuar nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytet.

Në lagjen “Kushtrimi”, shërbimet e policisë ndaluan për kontroll automjetin me të cilin lëviznin shtetasit R.H. dhe A.Ç. Gjatë kontrollit fizik, pasagjerit R.H., 23 vjeç, banues në Vlorë, iu gjet një armë zjarri pistoletë, për të cilën ai u arrestua në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.

Shoferi A.Ç., 37 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua për moskallëzim krimi. Gjatë operacionit u sekuestruan arma e zjarri, automjeti dhe dy celularë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Lini një koment