Banka e Shqipërisë: Inflacioni në muajt e verës u rrit edhe nga kondicionerët
Inflacioni gjatë muajve të verës u rrit edhe nga përdorimi i kondicionerëve, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, e cila vëren se zgjerimi i peshës së familjeve që konsumojnë më shumë se 700 kWh energji në muaj ndikoi në rritjen e çmimit mesatar të energjisë elektrike në muajt korrik dhe gusht 2026.
Siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar analizës së bankës qendrore, kontributi i kategorisë “Mallra me çmime të rregulluara” u rrit me rreth 0.1 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë, i ndikuar nga zëri i pagesës së energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, komponentët më të qëndrueshëm të inflacionit ndikuan kryesisht në kahun ngadalësues: kontributi i kategorisë së strehimit u ul me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin paraardhës, duke reflektuar ngadalësimin e inflacionit të qirave në 4.7%, nga 7.2% në tremujorin e dytë.
Në tërësinë e vet, sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e inflacionit gjatë muajve të fundit ka ardhur në masën më të madhe nga rritja e çmimeve të naftës dhe të lëndëve të para energjetike, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe nga kontributet më të larta të kategorisë së mallrave ushqimore të papërpunuara, ndërsa presionet e brendshme inflacioniste u zbutën.