E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KINEMA – James Bondi i ri quhet Robert Pattinson

KINEMA – James Bondi i ri quhet Robert Pattinson

LONDËR, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Aktori britanik Robert Pattinson do të jetë James Bondi i ri, duke marrë përsipër rolin e agjentit të famshëm 007 në filmin e ardhshëm të sagës, pas largimit të Daniel Craig.

Craig interpretoi James Bond për herë të parë në filmin “Casino Royale” në vitin 2006 dhe u largua nga roli pas pesë filmave, me aventurën e tij të fundit në “No Time To Die”, publikuar në vitin 2021.

Filmi i ri, i njohur përkohësisht si “Bond 26”, është aktualisht në fazën e zhvillimit.

Skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit të njohur “Peaky Blinders”, ndërsa regjinë do ta marrë përsipër Denis Villeneuve, i njohur për filmat “Dune”.

Producentë të projektit do të jenë Amy Pascal dhe David Heyman.

Sipas planifikimeve paraprake, xhirimet pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa premiera parashikohet për vitin 2028.

Megjithatë, datat e sakta nuk janë bërë ende publike.

Ky do të jetë filmi i parë i James Bond pas ndryshimit të drejtimit krijues të ekskluzivitetit, pasi producentët afatgjatë Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson u tërhoqën nga drejtimi, duke ia lënë kontrollin krijues Amazon pas blerjes së kompanisë MGM.

Pattinson bëhet aktori i shtatë që interpreton agjentin britanik në ekranin e madh, duke ndjekur gjurmët e Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timothy Dalton, Pierce Brosnan dhe Daniel Craig./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment