Rusia paralajmëron Britaninë për pasoja serioze nëse i cenohen të drejtat në presidencën e G20-s
Rusia paralajmëroi të hënën Britaninë se do të përballet me “pasoja serioze” nëse përpiqet t’i cenojë të drejtat e Moskës kur Londra të marrë presidencën e G20-s për vitin 2027, siç njofton Reuters.
Paralajmërimi vjen më pak se dy javë pasi revista The Economist citoi kryeministrin britanik Andy Burnham të ketë thënë se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të udhëtojë në samitin e G20-s që do të mbahet në Mançester në nëntor të vitit të ardhshëm, për shkak të sanksioneve britanike ndaj tij të lidhura me Ukrainën.
“Do të shohim se si do të sillet në të vërtetë Londra. Një gjë është e qartë: çdo cenim i të drejtave të Rusisë nuk do të kalojë pa u vënë re. Çdo hap i gabuar në këtë drejtim do të ketë pasoja serioze”, i tha agjencisë shtetërore RIA Marat Berdyev, ambasadori i ngarkuar i Ministrisë së Jashtme ruse për çështjet e G20-s dhe APEC-ut.
Berdyev, i cili tha se shpreson që një skenar negativ të mund të shmanget, u citua të ketë thënë se vendi që mban presidencën e radhës së G20-s nuk ka të drejtë të diktojë kushte apo të vendosë se kush merr pjesë në punimet e forumit.
Rusia mbetet anëtare e G20-s, pavarësisht përpjekjeve perëndimore për ta izoluar për shkak të luftës së saj në Ukrainë. Udhëheqësit e vendeve pritëse tradicionalisht i ftojnë të gjithë anëtarët e bllokut në samitin vjetor; Shtetet e Bashkuara, që mbajnë presidencën aktuale, e kanë ftuar Putinin në samitin që do të organizojnë në Majami në dhjetor, ndërsa Kremlini ende nuk ka thënë nëse ai do të marrë pjesë vetë apo do të dërgojë dikë tjetër në vend të tij.