E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sa lehtë mund të thyhet një fjalëkalim? Salihu: Një kompjuteri mund t’i duhen vetëm 20 sekonda

Sa lehtë mund të thyhet një fjalëkalim? Salihu: Një kompjuteri mund t’i duhen vetëm 20 sekonda

Fjalëkalimet e thjeshta vazhdojnë të jenë një nga dobësitë më të mëdha të përdoruesve në internet. Pikërisht për këtë çështje foli ekspertja e sigurisë kibernetike Drenusha Salihu në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”.

Sipas saj, në sigurinë kibernetike nuk ekziston koncepti i një fjalëkalimi që nuk mund të thyhet, por synimi është që ai të jetë aq kompleks sa thyerja e tij të kërkojë jashtëzakonisht shumë kohë.

“Ne në siguri kibernetike themi gjithmonë që nuk ka pasword që nuk është i hakueshëm dhe i thyeshëm komplet”, tha ajo.

Sipas Salihut, qëllimi është të krijohet një fjalëkalim aq i vështirë sa një kompjuteri t’i duhen vite për ta thyer.

“Esenca është që të krijojmë një pasword aq të vështirë saqë një kompjuteri do t’i duhej vite të tëra për me e thy atë pasword”, tha ajo.

Në anën tjetër, përdorimi i kombinimeve të thjeshta mund ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e nevojshme për thyerjen e një llogarie.

Salihu përmendi si shembuj përdorimin e kombinimeve “1, 2, 3, 4”, datëlindjeve të fëmijëve, numrave apo shkronjave të thjeshta.

Sipas saj, për fjalëkalime të tilla një kompjuteri mund t’i duhen “ndoshta njëzet sekonda” për t’i thyer.

Një problem tjetër është përdorimi i informatave personale që publikohen në rrjete sociale.

Salihu tha se të dhënat publike mund të përdoren për të krijuar lista të fjalëkalimeve të mundshme të një personi.

Nëse dikush përdor datëlindjen ose emrin e fëmijës si fjalëkalim dhe njëkohësisht i publikon këto informacione në rrjetet sociale, sulmuesit mund t’i mbledhin ato përmes të dhënave të qasshme publikisht.

Ajo theksoi gjithashtu se fakti që platformat kufizojnë numrin e tentimeve për kyçje nuk duhet t’i bëjë përdoruesit më pak të kujdesshëm.

“Megjithatë, kjo siguri nuk do të thotë që ne duhet të vazhdojmë të përdorim pasworda të thjeshtë ose ta përdorim paswordin e njëjtë në disa platforma të ndryshme”, tha Salihu.

Sipas saj, një tjetër masë e rëndësishme është autentikimi me dy faktorë.

Salihu e cilësoi atë si një element që nuk duhet parë më thjesht si opsion, por si “must-have” për përdoruesit.

Për më shumë këshilla rreth mbrojtjes së llogarive në Instagram, Facebook dhe platformat e tjera, ndiqni episodin e plotë të podcastit “Rrugëtimi”. /Telegrafi/

– YouTube www.youtube.com

Lini një koment