E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›“Thaçi 2” para verdiktit, sot shpallet aktgjykimi për ndërhyrjen e pretenduar te dëshmitarët

“Thaçi 2” para verdiktit, sot shpallet aktgjykimi për ndërhyrjen e pretenduar te dëshmitarët

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarit e tij do të përballen sot me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin që lidhet me ndërhyrjen e pretenduar te dëshmitarët.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për orën 10:00, ndërsa gjykatësi Christopher Gosnell ka urdhëruar praninë e të 5 të akuzuarve në seancë.

Përveç Thaçit, vendimin do ta dëgjojnë edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.

Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim: çfarë është thënë, kush ka folur dhe çfarë provojnë ato.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për rreth 28 orë biseda të regjistruara gjatë 9 vizitave, në një periudhë prej 4 muajsh.

Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët në emër të ish-presidentit.

Avokatët kanë vënë në dyshim edhe saktësinë dhe besueshmërinë e transkripteve të bisedave, duke pretenduar se disa pjesë të tyre kanë qenë të pakuptueshme dhe se mënyra e transkriptimit mund të ketë ndikuar në interpretimin e përmbajtjes.

Për këtë çështje, mbrojtja ka thirrur eksperten Helen Fraser, e cila ka vlerësuar se besueshmëria e transkripteve ishte e ulët. Megjithatë, ajo ka sqaruar se nuk mund të konstatonte se transkriptet ishin të pasakta, duke pranuar edhe kufizimin që lidhej me mosnjohjen e gjuhës shqipe.

Prokuroria i ka kundërshtuar këto vlerësime, duke mbrojtur besueshmërinë e incizimeve dhe materialeve të tjera që, sipas saj, mbështesin akuzat.

Mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se disa nga informacionet e cilësuara si konfidenciale kanë qenë të njohura publikisht ose kanë përbërë kujtime të përbashkëta të Thaçit me vizitorët.

Të 5 të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktgjykimi i sotëm pritet t’u japë përgjigje pretendimeve të Prokurorisë dhe kundërshtimeve të mbrojtjes në këtë proces të veçantë gjyqësor, i njohur edhe si rasti “Thaçi 2”.

Lini një koment