E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Tre muaj pas nokautit në ring, ndërron jetë në moshën 31-vjeçare boksieri irlandez Lee Reeves

Tre muaj pas nokautit në ring, ndërron jetë në moshën 31-vjeçare boksieri irlandez Lee Reeves

Boksieri irlandez Lee Reeves ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, tre muaj pasi pësoi dëmtime të rënda gjatë një ndeshjeje boksi. Lajmi u bë i ditur të martën nga promotori Queensberry.

Mediat lokale në qytetin e tij të lindjes, Limerick, raportuan se Reeves iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas humbjes me nokaut ndaj Gary Calley, në një ndeshje të kategorisë së peshave të lehta welter, të zhvilluar në Dublin në gusht. Që prej asaj kohe, ai ndodhej në koma të induktuar.

Sipas raportimeve, gjatë fundjavës boksieri pësoi një infeksion, i cili çoi në vdekjen e tij të hënën.

“Të gjithë në Queensberry janë të shkatërruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lee Reeves”, thuhet në deklaratën e promotorit. “Lee ishte një boksier jashtëzakonisht i talentuar, si dhe një model i vërtetë dhe frymëzim për komunitetin e tij”.

Edhe kundërshtari i tij, Gary Calley, shprehu ngushëllimet përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku e cilësoi Reeves si “një njeri me karakter dhe një zotëri”.

“Nuk ka pasur kurrë gjë tjetër veçse dashuri mes nesh, kampion; nuk mund ta besoj që po e shkruaj këtë. U prehsh në paqe, vëlla”, shkroi ai.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Lee Reeves zhvilloi 18 ndeshje, nga të cilat fitoi 16. Në 11 prej fitoreve, ai triumfoi me nokaut.

Lini një koment