Qeveria spanjolle miraton mbi 1.5 miliardë euro përfitime sociale para zgjedhjeve të parakohshme
Qeveria e Spanjës ka miratuar mbi 1.5 miliardë euro (1.65 miliardë dollarë) përfitime të reja sociale gjatë muajit të fundit dhe planifikon masa të tjera përpara zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit, në një valë shpenzimesh të minutës së fundit që synon të forcojë kredencialet e saj progresiste, siç njofton Reuters.
Masat tregojnë strategjinë në rritje të qeverisë së udhëhequr nga socialistët, e cila, pa mbështetjen e mjaftueshme parlamentare për të miratuar një buxhet të ri që nga viti 2023, po shpenzon me dekrete që Kongresi mund t’i ndalojë, por nuk mund t’i zhbëjë në mënyrë retroaktive. Sipas llogaritjes së Reuters nga kostot e publikuara në faqen e qeverisë, rreth 820 milionë euro janë autorizuar për mbështetjen e familjeve në nevojë, 221 milionë euro për viktimat e fatkeqësive si përmbytjet apo aksidenti hekurudhor i muajit të kaluar dhe rreth 426 milionë euro subvencione për strehimin, shqetësimin kryesor të votuesve, të cilin kryeministri Pedro Sánchez është zotuar ta trajtojë drejtpërdrejt nëse fiton shumicën.
Masat mund të ndihmojnë në mobilizimin e votuesve që ndryshe do të abstenonin, duke forcuar narrativën e socialistëve si partia që mbron më të dobëtit, thotë analisti politik Eduardo Bayón. “Kjo qeveri e koalicionit progresist po tregon se është e mundur të arrihen njëkohësisht rritja ekonomike dhe rishpërndarja”, deklaroi Sánchez në një intervistë për televizionin spanjoll Telecinco të hënën, i pyetur për shpenzimet.
Por ekonomistët dhe mbikëqyrësi fiskal i Spanjës, AIReF, kanë kritikuar mungesën e transparencës të këtij lloji shpenzimi, i cili është shumë më i vështirë për t’u ndjekur sesa përditësimet e rregullta buxhetore. Diego Martínez López, ekonomist në institutin Fedea, paralajmëron se angazhimet shumëvjeçare të marra për të fituar vota tani mund të krijojnë probleme për qeverinë e ardhshme: “Këto shpenzime kanë peshë të madhe elektorale në afat të shkurtër, por në thelb po e shtyjnë problemin për më vonë.” Partia Popullore konservatore, që kryeson në sondazhe, ka premtuar një auditim të plotë të financave publike, ndërsa lideri i saj Alberto Núñez Feijóo ka përsëritur se “nuk i beson shifrat”. AIReF ka paralajmëruar gjithashtu se shpenzimet e larta publike po rrezikojnë kufijtë e shpenzimeve neto të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Që nga marrja e detyrës në qershor 2018, kabinetet e Sánchez kanë miratuar më shumë ligje me dekret emergjent që anashkalojnë përkohësisht parlamentin sesa çdo kryeministër tjetër që nga tranzicioni i Spanjës drejt demokracisë në vitin 1975, sipas platformës së analizës politike Electomania. Masat e fundit, të miratuara pas shpërndarjes së parlamentit, kanë nevojë vetëm për miratimin e një komisioni të përhershëm prej 69 anëtarësh, ku balanca është pak më e favorshme për koalicionin qeverisës sesa në Kongresin e plotë prej 350 vendesh. Një pjesë e masave është financuar nga fondi i kontingjencës, një rezervë prej 2 për qind të shpenzimeve totale jofinanciare, e vendosur në 3.96 miliardë euro që nga viti 2023 dhe e destinuar për emergjenca të paparashikuara, ndonëse AIReF ka gjetur se 71 për qind e shpenzimeve të vitit të kaluar nga ky fond shkoi për shpenzime të parashikueshme dhe të përsëritura. Ministria spanjolle e Financave nuk iu përgjigj kërkesës për koment.