E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHENZHEN – Kina dhe Meksika shqyrtojnë bashkëpunimin në tregti, teknologji dhe energji

SHENZHEN – Kina dhe Meksika shqyrtojnë bashkëpunimin në tregti, teknologji dhe energji

SHENZHEN, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Kina dhe Meksika synojnë të forcojnë lidhjet ekonomike dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në tregti, investime, teknologji dhe energji.

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Hsinhua” raportoi se këto çështje u diskutuan gjatë takimit të sotëm mes presidentit kinez, Xi Jinping dhe presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum, në qytetin Shenzhen të Kinës jugore.

Sheinbaum identifikoi tregtinë, investimet, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale si, fushat kryesore ku dy vendet mund të thellojnë bashkëpunimin.

Nga ana e tij, Xi Jinping kërkoi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke përmendur veçanërisht projektet infrastrukturore dhe energjinë e pastër. Megjithatë, pas takimit nuk u njoftua për arritjen e marrëveshjeve konkrete.

Meksika duhet të marrë parasysh marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përcaktimin e politikës së saj tregtare ndaj Kinës, pasi pjesa më e madhe e eksporteve meksikane shkon drejt tregut amerikan.

Presidenti amerikan, Donald Trump po ushtron presion ndaj Meksikës përmes tarifave doganore mbi disa produkte.

Një nga shqetësimet e Uashingtonit, është që mallrat kineze të mos përdorin Meksikën si rrugë për të hyrë në tregun amerikan, duke shmangur tarifat e vendosura ndaj Kinës.

Përpara takimit me Xi Jinping, Sheinbaum u shpreh se nuk besonte që takimi me presidentin kinez, do të krijonte probleme për negociatat tregtare të vendit të saj me Uashingtonin.

Ndërkohë, përpara takimit me presidenten meksikane, Xi Jinping u takua edhe me kryeministrin kanadez, Mark Carney në Shenzhen.

Kina dhe Kanadaja ranë dakord për lehtësime të mëtejshme të tarifave doganore.

Ashtu si Meksika, edhe Kanadaja po përpiqet të reduktojë varësinë nga tregu amerikan, në kushtet e mosmarrëveshjeve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /

Lini një koment