SHENZHEN – Xi pret Trump me një përqafim në aeroport, përpara samitit të APEC-ut
SHENZHEN, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti kinez, Xi Jinping mirëpriti personalisht sot presidentin amerikan, Donald Trump në aeroportin e Shenzhenit, në jug të Kinës.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni kinez treguan dy liderët ndërsa përqafoheshin.
Sipas raportimeve të medieve shtetërore kineze, Xi i kujtoi Trumpit se edhe ky i fundit e kishte pritur në aeroport gjatë vizitës së tij në SHBA në shtator.
“Kina është një vend ku vlerësohet mirësjellja dhe mirësjellja duhet të shpërblehet me të njëjtën monedhë”, i tha Xi presidentit amerikan.
Përqafimet gjatë vizitave të krerëve të shteteve apo takimeve diplomatike janë jashtëzakonisht të rralla në Kinë.
Në vitin 2024, Xi dhe presidenti rus, Vladimir Putin shkëmbyen një përqafim gjatë një takimi në Pekin.
Putini ka udhëtuar gjithashtu drejt Shenzhenit për të marrë pjesë në samitin e APEC-ut. Xi i është referuar prej kohësh atij si një “mik i vjetër”, por një ditë më parë nuk e priti personalisht në aeroport.
Në vend të tij, presidentin rus e mirëpriti Cai Qi, shefi i kabinetit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Xi Jinping.
Ndërkohë, prej kohësh ka pasur spekulime për një përqafim të mundshëm mes Trump dhe Putinit.
Në mesin e prillit, në kontekstin e konfliktit me Iranin dhe krizës në Ngushticën e Hormuzit, Trump shkroi në rrjetet sociale se Kina ishte “shumë e kënaqur” që ai po garantonte mbajtjen hapur të kësaj rruge të rëndësishme detare.
“Presidenti Xi do të më japë një përqafim të madh e të ngrohtë kur të jem atje pas disa javësh”, shkroi ai në atë kohë.
Megjithatë, gjatë qëndrimit të Trump në kryeqytetin kinez në mesin e majit, si dhe gjatë vizitës së Xi-së në Uashington në shtator, dy presidentët nuk u përqafuan. /