SHENZHEN – Trumpi dhe Putini shtrëngojnë duart, takohen pas më shumë se një viti
SHENZHEN, 18 nëntor /ATSH-AFP/- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takuan sot në qytetin kinez të Shenzhenit, ku shtrënguan duart, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Ky është takimi i parë mes dy liderëve që nga gushti i vitit 2025, kur ata zhvilluan bisedime në Alaska.
Përshëndetja e tyre shënon një kontakt të drejtpërdrejtë pas më shumë se një viti, në një periudhë të karakterizuar nga tensionet ndërkombëtare dhe mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Moskës.
Pamjet e takimit treguan presidentin rus duke iu afruar homologut amerikan, përpara se të dy të përshëndeteshin dhe të shtrëngonin duart. Në momentin e takimit ishte i pranishëm edhe presidenti kinez, Xi Jinping.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve diplomatike të samitit, përpara darkës zyrtare të mirëseardhjes, ku morën pjesë liderët e vendeve pjesëmarrëse.
Përshëndetja mes Trump dhe Putin vjen një ditë përpara takimit tripalësh të planifikuar më 19 nëntor, ku pritet të marrin pjesë tre liderët: Trump, Putin dhe Xi Jinping.
Një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është lufta në Ukrainë. Trump ka deklaruar se dëshiron që konflikti të jetë pjesë e bisedimeve, ndërsa marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit mbeten të tensionuara.
Kontrolli i armëve bërthamore pritet gjithashtu të jetë një tjetër temë e rëndësishme. Trump ka shprehur interesin për një marrëveshje të re për kufizimin e armëve bërthamore, ku të përfshihet edhe Kina.
Takimi i nesërm pritet jetë një tjetër moment diplomatik në marrëdhëniet mes tri fuqive të mëdha, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, të cilat do të diskutojnë çështje që ndikojnë në sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. /