Marije Kraja, një prej zërave më të shquar të muzikës operistike shqiptare
Akademia e Shkencave kujtoi sot në ditën e ndarjes nga jeta Marije Krajën, një prej zërave më të shquar të muzikës operistike shqiptare dhe një nga figurat themeluese të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci. Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Graz-it në Austri deri në vitin 1934. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri, ku nisi një veprimtari të ngjeshur koncertore dhe pedagogjike, duke ia kushtuar të gjithë jetën artit muzikor shqiptar.
Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.
Me interpretimet e saj, ajo promovoi muzikën tonë jo vetëm brenda vendit, por edhe në skena ndërkombëtare në Vjenë, Bari, Mynih, Firence e qytete të tjera europiane.
E cilësuar si një zë i bukur lirik, plot temperament, me timbër të kulluar e të kristaltë, Marie Kraja interpretoi në premierën e parë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe u bë pjesë e plejadës së artistëve që hodhën themelet e artit operistik shqiptar.
Disa nga rolet kryesore të veprave artistike që ajo i zhvilloi me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Gjatë karrierës së saj interpretoi role kryesore në veprat e para operistike shqiptare, si edhe në kryevepra të repertorit botëror. Krahas roleve operistike, repertori i saj përfshinte arie, romanca, pjesë koncertore dhe mbi 300 këngë popullore nga treva të ndryshme shqiptare. Me dashuri dhe përkushtim të veçantë, ajo ruajti, interpretoi dhe promovoi traditën e pasur të këngës qytetare shqiptare.
Kontributi i saj u shtri edhe në fushën e pedagogjisë, ku përvoja dhe dijet e saj u përcollën te breza të tërë këngëtarësh të rinj.
Në vitin 1936 ishte pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Në 1946 ajo punoi në Radio-Tirana dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Në vitin 1962 ajo punoi si pedagoge në Konservatorin Shtetëror të Tiranës ku vazhdoi derisa mbaroi karrierën e saj të plotë e doli në pension në vitin 1966.
Për veprimtarinë e jashtëzakonshme artistike, Marie Kraja u nderua me titullin “Artiste e Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Marije Kraja u nda nga jeta më 21 nëntor të vitit 1999 në Tiranë.