Restaurohet ikona e “Shën Marisë me Krishtin”
Ikona e “Shën Marisë me Krishtin”, e tipit përkëdhelëse i ka shpëtuar rrënimit falë restaurimit në në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të Muzeut Onufri.
Kjo vepër tashmë është e ekspozuar në Qendrën Kombëtare të Muzeumeve në Berat.
Vepra e shekullit XVI vjen nga kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës, në Kalanë e Beratit, dhe prej 40 vitesh ruhet në fondin e Muzeut Onufri.
Para ndërhyrjes, ajo kishte dëmtime në suportin prej druri, humbje të shtresave përgatitore, ngritje të pelikulës piktorike dhe papastërti të qëndrueshme nga ndërhyrje të mëparshme. Piktura ruhej në rreth 60% të sipërfaqes.
Pas restaurimit, pjesët e ruajtura zbulojnë sërish forcën e ngjyrave,të kuqen, ultramarinën dhe kobaltin, si edhe elegancën e kaligrafisë dhe stilizimin në ar. Edhe pse një pjesë e pikturës ka humbur, bukuria e ikonës mund të vlerësohet nga afër në Muzeun Onufri.