E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Projektet për trashëgiminë kulturore dhe turizmi, Gonxhja takim me ambasadorin turk

Projektet për trashëgiminë kulturore dhe turizmi, Gonxhja takim me ambasadorin turk

Ruajtja e trashëgimisë kulturore, promovimi i traditave të përbashkëta në UNESCO dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit ishin në fokus të takimit të ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, B. Ceyhun Erciyes.

Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e punimeve restauruese në Xhaminë e Muradies në Vlorë, monument kulture i kategorisë së parë.

Ministri Gonxhja tha se punimet po realizohen në bashkëpunim mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë (DRTK), Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), si dhe ekspertëve shqiptarë e turq.

Sipas tij, ndërhyrjet synojnë garantimin e qëndrueshmërisë së monumentit, duke ruajtur vlerat historike, arkitektonike dhe autenticitetin e tij.

Ministri Gonxhja falënderoi ambasadorin Erciyes për mbështetjen e Turqisë në çështjen e ruajtjes së statusit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, gjatë sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, zhvilluar në Busan, në Korenë e Jugut, në kuadër të Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore.
Gjatë takimit Gonxhja dhe Erciyes biseduan gjithashtu për Ojnat, artin e rafinuar të thurjes me grep dhe gjilpërë, të nominuara në një dosje të përbashkët nga Shqipëria, Turqia dhe Rumania për përfshirjen në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve përmes qendrave kulturore.
Në fushën e turizmit, Gonxhja shprehu gatishmërinë për të mirëpritur investime turke në Shqipëri dhe për të zhvilluar nisma konkrete bashkëpunimi, në funksion të potencialit turistik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.
/k.s/j.p/

Lini një koment