E diel, 22 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Rama: Ruajtja e gjuhës mision jete, të ndërtojmë një bibliotekë digjitale ku të kyçet pasuria e shqipes

Rama: Ruajtja e gjuhës mision jete, të ndërtojmë një bibliotekë digjitale ku të kyçet pasuria e shqipes

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Europe House në Manastir me të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve, ku diskutoi për arsimin, identitetin kulturor, bashkëpunimin rinor dhe të ardhmen e përbashkët europiane.

Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë takim si momentin përmbyllës të një dite kushtuar kujtesës së alfabetit shqip, duke theksuar se vizita në Shtëpinë Muze të Kongresit të Manastirit e bën më të prekshme sakrificën e brezave për ruajtjen e gjuhës.

“Ky është momenti përmbyllës i një dite e cila në zemrën e vet ka kujtesën e alfabetit, që për hir të së vërtetës ishte një ditë prekëse, pasi, kur hyn në godinën e Kongresit historik të Manastirit dhe sheh dokumentet, dorëshkrimet, sheh shëmbëlltyrat e atyre që i dhanë jetë për nëntë ditë atij Kongresi, është e pamundur që të mos mendosh për sa shumë gjëra ne i marrim si të mirëqena, a thua se kanë qenë gjithmonë kështu siç i kemi dhe siç i shohim sot”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se gjuha shqipe, si elementi themelor që bashkon shqiptarët dhe përbën një shtyllë të identitetit të tyre, është ruajtur ndër shekuj falë sakrificave të jashtëzakonshme.

“Për gjuhën që ne flasim dhe shkruajmë, për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë, janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Janë sakrifikuar jetë dhe një kohë shumë e gjatë, janë përfshirë një numër i pafund njerëzish, për të cilët mbijetesa dhe trashëgimia e gjuhës shqipe, bartja nga një brez në tjetrin e shqipes ka qenë mision jete”, deklaroi ai.

Rama shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe ndër breza, nga figurat e Rilindjes Kombëtare deri te mësuesit që japin mësim në diasporë.

“Dhe unë dua sot këtu me ju të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin me përulje për të gjithë ata që, më shumë ose më pak, e bartën shqipen deri në ditët tona, që nga Parashqevi Qiriazi dhe patriotët e tjerë të mbledhur në Kongresin e Manastirit”, tha kryeministri.

Rama përmendi kontributin e atyre që u bënë pjesë e proceseve historike për shqiptarët në rajon, duke iu referuar edhe Marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri Rama vlerësoi edhe punën e mësuesve të diasporës, të cilët, krahas angazhimeve të tyre të përditshme për familjet, vijojnë të kontribuojnë për mësimin e gjuhës amtare te fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Një mësues që, krahas punës që bën për të mbajtur familjen, shkon edhe në një dhomë të kthyer në klasë për t’u mësuar shqip fëmijëve të diasporës shqiptare”, pohoi Rama.

Rama kërkoi që të angazhohen për ndërtimin e një bibliotekë digjitale, që nga leximi i shqipes deri te leximi i veprave.

Një bibliotekë, sipas tij, ku të jetë e kyçur pasuria e shqipes.

Ai theksoi se qeveria shqiptare do ta ndërmarrë këtë hap ku teknologjia jep një ndihmë të madhe.

Vijon…

/e.i/

Lini një koment