Gjyqtari federal refuzon lirimin e burrit të plagosur nga agjentët e emigracionit në Nju Jork
Një gjyqtar federal refuzoi të premten, më 20 nëntor, lirimin nga paraburgimi të Oscar Belgal-it, 28 vjeç, shtetas dominikan, i plagosur me armë nga oficerë të emigracionit gjatë arrestimit të tij në Nju Jork muajin e kaluar, siç njofton Associated Press.
Gjyqtari i distriktit Hector Gonzalez shkroi se agjentët mund të kenë bërë një gabim procedural duke i dorëzuar urdhrin e arrestit përpara njoftimit për paraqitje në gjykatën e emigracionit, por ky ishte vetëm një gabim teknik që nuk kërkon lirimin e tij nga paraburgimi federal në pritje të procedurave të dëbimit.
Belgal hyri ilegalisht në SHBA në vitin 2021. Ai u deklarua fajtor për vjedhje të rëndë (grand larceny), ndërsa një çështje tjetër e vitit 2025 për tentativë shitjeje substancash është ende në pritje.
Më 8 tetor, agjentët e ICE-s e gjetën ndërsa po çonte me makinë djalin e tij 5-vjeçar nga shkolla. Pamjet tregojnë një oficer që thyen xhamin me tytën e armës. Belgal u godit në shpatull dhe në qafë, ndërsa djali nuk u lëndua.
Avokatët e tij thanë se agjentët nuk kishin urdhër të vlefshëm dhe nuk u identifikuan. Gjyqtari nuk u pajtua për urdhrin dhe tha se kërkesa për lirim nuk është vendi i duhur për pretendimin e forcës së tepruar. Gonzalez vuri në dukje se Belgal mund t’i kërkojë ende gjykatës së emigracionit lirimin me garanci (bond).
Legal Aid Society e quajti të pakonceptueshme mbajtjen e tij në paraburgim, ndërsa zyrtarët federalë thanë se oficerët qëlluan sepse besuan se jeta e tyre ishte në rrezik.