E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GJERMANI – Kërcënime me bombë në rreth 450 shkolla në disa lande

GJERMANI – Kërcënime me bombë në rreth 450 shkolla në disa lande

ERFURT, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Shkolla në disa zona të Gjermanisë kanë marrë sot kërcënime me bombë, pas rasteve të ngjashme të raportuara gjatë muajit nëntor edhe në vende të tjera evropiane.

Sipas policisë, kërcënimet janë dërguar përmes postës elektronike, gjatë orëve të mëngjesit në shkollat e qyteteve Jena, Erfurt, Nordhausen, Gotha, Rudolstadt dhe Greiz, në landin lindor të Tyringisë.

Këto raste vijnë pas mesazheve të rreme kërcënuese, të dërguara në fillim të nëntorit në mijëra shkolla në Itali, Irlandën e Veriut dhe Skoci, ku kontrollet nuk zbuluan praninë e mjeteve shpërthyese.

Policia gjermane deklaroi se nuk i konsideron kërcënimet e fundit si serioze dhe u ka këshilluar shkollave të mos evakuojnë godinat, por të vijojnë normalisht procesin mësimor.

Autoritetet thanë se deri tani, nuk kanë informacion mbi personat që kanë dërguar mesazhet.

Gazeta gjermane “Bild” raportoi se rreth 450 shkolla mund të jenë prekur nga kërcënimet.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në lande të tjera gjermane.

Disa shkolla në Saksoninë e Poshtme kanë marrë kërcënime për bomba, konfirmuan Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit e këtij landi, me seli në Hanover.

Autoritetet nuk dhanë detaje mbi përmbajtjen e kërcënimeve apo numrin e shkollave të prekura.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit të landit deklaroi se shkollave u është kërkuar të kontaktojnë policinë dhe të bëjnë kallëzim në rast se marrin kërcënime të tilla.

Në fillim të nëntorit, kërcënime misterioze për bomba, prekën gjithashtu dhjetëra fluturime në disa pjesë të Evropës, duke detyruar devijimin e disa avionëve drejt destinacioneve të tjera.

Pas kontrolleve të kryera nga specialistët, në asnjë prej rasteve nuk u gjetën mjete shpërthyese. /

Lini një koment