DANIMARKË – Ndalohen telefonat në shkolla, pas rezultateve të dobëta në testin PISA
KOPENHAGË, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Qeveria daneze po përgatit ndalimin e telefonave inteligjentë në shkolla, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, pas rezultateve historikisht të dobëta të nxënësve danezë në testimin e fundit ndërkombëtar PISA.
Sipas deklaratës së qeverisë, ndalimi do të përfshijë telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera me akses në internet, deri në përfundim të klasës së 10-të, si dhe në qendrat e kujdesit pas shkollës.
Pas arritjes së një marrëveshjeje me partitë e tjera politike, qeveria pritet të paraqesë një projektligj gjatë seancës aktuale parlamentare.
“Fëmijët duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë, pa u shpërqendruar vazhdimisht nga rrjetet sociale, blerjet në internet apo lojërat”, deklaroi ministri i Arsimit, Magnus Heunicke.
Qeveria parashikon gjithashtu, që shkollat të detyrohen të përdorin filtra në rrjetet e internetit, për të bllokuar aksesin në faqet që nuk kanë lidhje me mësimin apo veprimtaritë edukative.
Telefonat janë tashmë të ndaluar në shumë shkolla në Danimarkë.
Vitin e kaluar, parlamenti u kërkoi shkollave të hartonin rregullat e tyre, për të krijuar mjedise pa telefona në arsimin fillor dhe në qendrat e kujdesit pas shkollës, deri në klasën e tretë.
Ndryshe nga rregullat e vitit të kaluar, ndalimi i ri i miratuar nga qeveria do të jetë i detyrueshëm dhe do të zbatohet deri në përfundim të klasës së 10-të.
Mënyra se si do ta zbatojnë këtë masë do të përcaktohet nga vetë shkollat.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili riktheu debatin në Danimarkë për përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla, mat aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.
Testimi organizohet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) çdo tre vjet. /