BERLIN – Wadephul: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s
BERLIN, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul rikonfirmoi sot gatishmërinë e NATO-s, për të mbrojtur territorin e saj, pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore polake nga Rusia.
“Ne do të mbrojmë gjithmonë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, deklaroi Wadephul gjatë sesionit të 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të Aleancës, në Berlin.
“Zoti Putin, mos kini asnjë dyshim. Ne jemi një aleancë mbrojtëse, por jemi të gatshëm të mbrojmë veten, vendet tona dhe Aleancën tonë”, shtoi ai, duke iu drejtuar presidentit rus.
Wadephul shprehu solidaritetin e plotë me Poloninë, pas incidenteve dhe tha se ishte në kontakt të ngushtë me ministrin e Jashtëm polak, Radosław Sikorski.
Sipas informacioneve të qeverisë polake, të premten tre mjete ushtarake ruse, hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe u rrëzuan në pjesën juglindore të vendit, anëtar i BE-së dhe NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes në Varshavë fillimisht, dyshoi se bëhej fjalë për dy raketa kruz dhe një dron. Nga incidenti nuk pati të plagosur.
Prokuroria Publike njoftoi dje se, pas analizimit të mbetjeve, ishte përcaktuar se mjetet ishin raketa kruz ruse të tipit Kh-101.
Përfaqësuesit e NATO-s pritet ta diskutojnë çështjen, gjatë takimeve të rregullta që do të zhvillohen të hënën në Bruksel.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet t’i drejtohet rreth mesditës Asamblesë Parlamentare të Aleancës në Berlin.
Në orën 15:30, kancelari gjerman, Friedrich Merz do ta presë Rutte në selinë e Kancelarisë në kryeqytetin gjerman. /