E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Përmirësohet moti në Kukës, por ngricat përfshijnë Rrugën e Kombit, hidhet kripë në segmentet e prekura

Përmirësohet moti në Kukës, por ngricat përfshijnë Rrugën e Kombit, hidhet kripë në segmentet e prekura

Situata e motit në qarkun e Kukësit është përmirësuar, pasi reshjet e shiut kanë pushuar, siç njofton BalkanWeb. Megjithatë, ulja e temperaturave ka sjellë ngrica në rrugë, ndërsa në zonat e larta malore janë regjistruar edhe reshje bore.

Reshje të lehta bore, pa krijuar shtresë, janë shënuar gjatë mbrëmjes së djeshme edhe në zonën e Kalimashit, pranë tunelit të Kukësit, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes dhe të mëngjesit Rruga e Kombit ka qenë nën ndikimin e ngricave.

Për të parandaluar rrëshqitjet dhe për të garantuar sigurinë e drejtuesve të automjeteve, kompania mirëmbajtëse ka ndërhyrë duke hedhur kripë në segmentet e prekura nga ngricat dhe reshjet e borës; përdoruesit e rrugës këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin automjete të pajisura me goma dimërore.

Pavarësisht kushteve atmosferike, deri më tani qarkullimi në Rrugën e Kombit vijon normalisht dhe pa probleme, dhe nuk janë raportuar problematika as në rrugët nacionale dhe bashkiake të qarkut të Kukësit.

Lini një koment