SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për Asllan Dogjanin dhe konvertim në 3 vite shërbim prove | JavaNews.al
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani. Në të njëjtën kohë, organi i akuzës kërkon që kjo masë dënimi të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorja Manjola Kajana kërkoi shpalljen fajtor të Dogjanit për veprën penale që lidhet me mosdeklarimin, fshehjen apo deklarimin e rremë të pasurisë dhe interesave privatë nga personat që kanë detyrim ligjor për deklarim.
Procesi gjyqësor është shtyrë për datën 9 dhjetor. Në këtë seancë pritet të paraqiten përfundimet e mbrojtjes, ndërsa më pas gjyqtari Bib Ndreca do të japë vendimin për çështjen.
Hetimi ndaj ish-deputetit nisi pas një kallëzimi të bërë nga biznesmeni Ilirjan Çela, i cili ngriti dyshime lidhur me blerjen e një apartamenti në vitin 2006, me vlerë 134 mijë euro.
Sipas pretendimeve të kallëzuesit, Dogjani e kishte blerë pronën duke paguar shumën përkatëse dhe jo duke e përfituar atë në këmbim të shërbimeve të konsulencës juridike që, sipas deklarimeve të ish-deputetit, i kishte ofruar ndërtuesit.