E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Inspektim për projekt restaurimi për Urën Mesjetare të Gurit në Grabovë të Sipërme

Inspektim për projekt restaurimi për Urën Mesjetare të Gurit në Grabovë të Sipërme

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka kryer një inspektim në Urën Mesjetare të Gurit, Monument Kulture i Kategorisë I, në Grabovë të Sipërme, Bashkia Gramsh, me qëllim vlerësimin e gjendjes së konservimit dhe evidentimin e nevojave për ndërhyrje restauruese.

E ndërtuar rreth shekullit XVII, ura përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të mjeshtërisë tradicionale të ndërtimit me gur. Ajo i përket tipologjisë së urave me një qemer (hark), ku është përdorur guri gëlqeror i zonës, duke dëshmuar përshtatjen e teknikave tradicionale të ndërtimit me materialet vendase.

E pozicionuar rreth 115 metra në juglindje të Kishës së Grabovës, ura është pjesë e pasurisë së rëndësishme historike dhe arkitekturore të këtij vendbanimi. Ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 1984.

Bazuar në problematikat e evidentuara gjatë inspektimit, IKTK po punon për projektin e restaurimit, me fokus konservimin e strukturës historike, restaurimin e elementeve të dëmtuara dhe ruajtjen e autenticitetit të monumentit.

Ndërhyrja synon mbrojtjen dhe përcjelljen në brezat e ardhshëm të këtij dëshmitari të trashëgimisë kulturore dhe të mjeshtërisë tradicionale të ndërtimit.

Lini një koment