Grupe aktivistësh padisin administratën Trump për heqjen e ekspozitës së skllavërisë në Filadelfia
Grupe aktivistësh paditën të hënën administratën e presidentit Donald Trump për heqjen e një ekspozite mbi skllavërinë në Filadelfia, duke argumentuar se ishte heqje selektive e historisë së zezakëve, raporton Reuters.
Padia sfidon heqjen e ekspozitës që dokumentonte jetën e nëntë personave të skllavëruar nga George Washington në President’s House në Filadelfia. “Njerëzit me ngjyrë preken në mënyrë unike nga heqja selektive e historisë së tyre, ndërsa historia që përfshin figura historike të bardha në sitin President’s House mbetet e paprekur”, thuhet në padi.
Padia u depozitua nga Avenging the Ancestors Coalition dhe The Black Journey. Departamenti i Brendshëm dhe Shërbimi i Parqeve Kombëtare nuk iu përgjigjën kërkesës për koment. Pas një beteje të mëparshme ligjore, ekspozita u lejua të hiqej pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Qarkut të Tretë.
Që nga marrja e detyrës në fillim të 2025-s, Trump ka kërkuar të riformësojë institucionet historike dhe portretizimin e historisë amerikane; urdhrat e tij ekzekutivë kanë çuar në presion mbi muzetë, çmontimin e ekspozitave të skllavërisë dhe restaurimin e statujave konfederate.
Mbrojtësit e të drejtave civile thonë se këto hapa kthejnë pas dekada progresi shoqëror; Trump thotë se synon të heqë atë që e quan ideologji “anti-amerikane”.