E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Pinoku dhe mesazhet universale në COD në 200-vjetorin e lindjes së Carlo Collodi-t

Pinoku dhe mesazhet universale në COD në 200-vjetorin e lindjes së Carlo Collodi-t

Në 200-vjetorin e lindjes së njërit prej shkrimtarëve më të dashur të letërsisë për fëmijë, Carlo Collodi-t, në Qendrën për Hapje dhe Dialog u organizua takimi “Scripta Manent”.

COD dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit u përqëndruan në këtë takim mbi Pinokun, personazhin që ka kapërcyer kufijtë gjuhësorë e kulturorë dhe është përkthyer në 260 gjuhë të botës, duke ndikuar në edukimin dhe formimin e brezave të lexuesve.

Në bisedë morën pjesë drejtoresha e QKLL, Arta Marku, studiuesja Persida Asllani dhe botuesja Irena Toçi. Ato ndanë reflektime mbi jetëgjatësinë e këtij personazhi, interpretimet e tij ndër vite dhe mesazhet universale që vijon të përcjellë edhe përtej botës së fëmijëve.

Carlo Collodi (1826–1890) ishte shkrimtar dhe gazetar italian. Ai u bë i njohur në të gjithë botën me “Aventurat e Pinokut”. Përmes kësaj përralle, autori përcjell mesazhe për ndershmërinë, të vërtetën, bindjen dhe përgjegjësinë. Carlo Collodi u nda nga jeta më 26 tetor 1890, në Firence.

Lini një koment