E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sveçla pas arrestimit të katër të dyshuarve për vrasjen e Arlinda Zekajt: Hetimet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet

Sveçla pas arrestimit të katër të dyshuarve për vrasjen e Arlinda Zekajt: Hetimet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit, duke përfshirë jo vetëm kryesit e dyshuar, por edhe të gjithë personat që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi.

Përmes një reagimi, Sveçla ka bërë të ditur se të mërkurën janë arrestuar edhe katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Zekajt.

Ai ka theksuar se mirëpret çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës.

“Hetimet për këtë rast duhet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet, deri në zbardhjen e plotë të tij. Mirëpres çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë jo vetëm të kryesve, por edhe të të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka theksuar se vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe dënimin me burgim të përjetshëm të konfirmuar një ditë më parë ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla.

Sveçla ka kërkuar gjithashtu që të hetohen të gjitha rrethanat që lidhen me rastin e Arlinda Zekajt, përfshirë edhe përgjegjësinë e personave që mund të kenë qenë në dijeni për rrezikun me të cilin ajo përballej.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për mosveprimin e personave të cilëve, sipas tij, Zekaj u ishte drejtuar për ndihmë dhe mbrojtje, por që nuk kishin ndërmarrë veprime për garantimin e sigurisë së saj.

“Përfshirë edhe ata që, përballë kërkesës së saj për të jetuar e sigurt, madje edhe në pronën e saj, kanë zgjedhur të qëndrojnë spektatorë në vend se të veprojnë për mbrojtjen e jetës së saj”, ka shkruar ministri.

Në fund, Sveçla ka shprehur mbështetjen e tij për institucionet që po merren me rastin, duke kërkuar që asnjë përgjegjësi të mos mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar në përputhje me ligjin./Telegrafi.

Lini një koment