Shqipëri-Moldavi, nisma të përbashkëta për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja priti në një takim kryetarin e Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Grosu, me të cilin diskutoi për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, kulturës dhe sportit.
Përmes një reagimi pas takimit, Gonxhja vlerësoi se vizita e kryeparlamentarit moldav në Shqipëri krijon mundësi për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe afrimin e mëtejshëm të dy vendeve në rrugën e tyre të integrimit evropian.
Në fokus të bisedës ishte promovimi i destinacioneve turistike, zhvillimi i itinerareve të përbashkëta turistike dhe kulturore, si dhe shkëmbimet në fushën e trashëgimisë historike dhe traditave.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e sportit si një urë lidhëse mes të rinjve dhe komuniteteve, përmes aktiviteteve dhe nismave të përbashkëta.
Sipas ministrit, zgjerimi i kontakteve mes qytetarëve dhe bashkëpunimi në këto fusha mund të krijojnë mundësi konkrete për afrimin e Shqipërisë dhe Moldavisë.
“Vazhdojmë të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi mes dy vendeve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh ministri.