E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KIEV – Zelensky: Ukraina ka nevojë për të paktën 115 miliardë euro vitin e ardhshëm për t’i bërë ballë luftës

KIEV – Zelensky: Ukraina ka nevojë për të paktën 115 miliardë euro vitin e ardhshëm për t’i bërë ballë luftës

KIEV, 24 nëntor /ATSH – AA/ Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se vendi i tij ka nevojë për të paktën 115 miliardë euro financim në vitin 2027 për t’i bërë ballë luftës me Rusinë..

Duke folur përmes një video lidhjeje në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Zelensky tha se Kievi po punon me partnerët evropianë për të siguruar financimin e nevojshëm.

Ai njoftoi se Ukraina pret të përfitojë 90 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm, shumë që përfshin 45 miliardë euro në kuadër të një vendimi të mëparshëm të BE-së për të siguruar këtë shumë çdo vit për dy vjet, si dhe 45 miliardë euro të tjera të miratuara së fundmi.

“Komisioni Evropian tashmë ka paraqitur një mënyrë për sigurimin e këtij financimi dhe tani po punojmë që BE-ja ta mbështesë atë”, tha Zelensky, duke shtuar se Kievit i nevojitet ende të sigurojë 25 miliardë euro.

“Jam i bindur se do ta përmbushim këtë detyrë”, tha ai.

Zelensky theksoi se Ukraina ka ruajtur stabilitetin financiar gjatë pothuajse pesë viteve të luftës, duke siguruar të paktën 100 miliardë euro financim në vit.

Ai bëri thirrje për koordinim më të ngushtë mes qeverisë qendrore, autoriteteve rajonale dhe lokale, si dhe kompanive energjetike, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet ruse.

“Rusia është e përqendruar në kryerjen e sulmeve të përditshme dhe pasojat e këtij terrori janë të dukshme për të gjithë, për mbarë botën”, deklaroi ai.

Zelenskyy tha se Ukraina ka siguruar rezerva pajisjesh dhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë për të përshpejtuar riparimet. Ai u bëri thirrje autoriteteve rajonale që të raportojnë me saktësi për gjendjen në terren.

“Shpeshherë, inspektimet zbulojnë dukshëm më shumë probleme dhe punë të papërfunduara sesa ato që paraqiten në raportet e rajoneve. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

Ai kërkoi raportim të saktë, në mënyrë që banorët në të gjithë vendin, përfshirë ata në zonat që janë vazhdimisht nën bombardime, të marrin mbështetjen e nevojshme.

Zelenskyy gjithashtu njoftoi se do të takohet me kryeministrin hungarez, Peter Magyar, në rajonin Zakarpattia të Ukrainës. Ai tha se kjo do të jetë vizita e parë e Magyar-it në Ukrainë në cilësinë e kryeministrit, duke i cilësuar bisedimet si të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe dhe lidhjet e Ukrainës me BE-në.

Ai rikonfirmoi angazhimin e Kievit për hapjen e kapitujve negociues në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, duke theksuar se Ukraina po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të avancuar këtë proces.

Zelenskyy përmendi gjithashtu përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Moldavinë. Ai tha se Ukraina vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive edhe me Sllovakinë, pavarësisht dallimeve në retorikë dhe sfidave të vazhdueshme.

Lini një koment