Bizneset e djalit të Trump nën lupën e Kongresit amerikan, a po përfiton nga vendimet e të atit?
Siç njofton Shqiptarja.com, në mars të vitit 2025 fondi i investimeve 1789 Capital, ku Donald Trump Jr., djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, është partner, investoi 5 milionë dollarë në Juul, kompaninë e cigareve elektronike. Muaj më vonë, autoritetet amerikane vendosën të heqin ndalimin për shitjen e produkteve të Juul në SHBA.
Ky është një nga rastet që ka ngritur dyshime te demokratët në Kongresin amerikan, të cilët po hetojnë nëse bizneset e Trump Jr. po përfitojnë nga pushteti presidencial i të atit.
Sipas Reuters, kongresmeni demokrat Jamie Raskin, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, i ka kërkuar fondit dokumente për investimet e tij. Raskin tha se Trump Jr. ose ka fituar një aftësi të jashtëzakonshme për të parashikuar të ardhmen, ose ky është një skemë për të manipuluar politikat publike dhe tregjet, në mënyrë që familja presidenciale të pasurohet.
Demokratët dyshojnë se fondi mund të ketë investuar në kompani duke pasur dijeni paraprake për vendimet e administratës, ose duke përfituar nga lidhjet e ngushta me Shtëpinë e Bardhë. Në shqyrtim janë gjithashtu Hadrian Automation, kompani që prodhon pjesë për pajisje ushtarake dhe që ka përfituar nga kontratat e Pentagonit, me investime që u rritën pasi Trump mori detyrën; Polymarket, platforma e basteve online e miratuar nga rregullatorët amerikanë për të vepruar në SHBA; si dhe GrabAGun, shitësi online i armëve që mund të përfitojë nga ndryshimet në politikën amerikane të armëve.
Trump Jr. dhe drejtuesi i 1789 Capital, Omeed Malik, kanë mohuar parregullsi dhe kanë thënë se investimet janë bërë në përputhje me ligjin.
Çështja pritet të marrë peshë në janar, kur demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Demokratët argumentojnë se Kongresi ka të drejtën kushtetuese për të mbikëqyrur administratën dhe për të kërkuar llogari për konflikte të mundshme interesi. Javën e kaluar, presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që u kërkon kompanive me kontrata federale të ndajnë me administratën informacione financiare dhe të pronësisë.