A do të na bëjnë makinat autonome më pak aktivë mendërisht? Paralajmërimi i psikologëve
– Drejtimi i automjetit nuk është thjesht një veprim mekanik, por një proces që kërkon përqendrim, koordinim dhe vendimmarrje të vazhdueshme nga truri, shkruan salute.eu.
Megjithatë, zhvillimi i teknologjisë dhe përhapja e automjeteve autonome mund të ndryshojnë mënyrën se si truri i njeriut përfshihet gjatë udhëtimit.
Sipas psikologëve, kur një person drejton makinën, truri aktivizon zona të ndryshme përgjegjëse për përpunimin e informacionit pamor, koordinimin e lëvizjeve dhe marrjen e vendimeve.
Por situata ndryshon kur drejtuesi kryen njëkohësisht edhe një aktivitet tjetër, si për shembull një telefonatë.
Një rishikim shkencor i publikuar në revistën “Frontiers in Psychology” tregon se kryerja e një detyre të dytë gjatë drejtimit të automjetit zhvendos një pjesë të aktivitetit të trurit nga zonat përgjegjëse për shikimin drejt zonave fronto-parietale, të përfshira në vëmendje dhe përpunimin e informacionit.
Kjo do të thotë se burimet mendore largohen pjesërisht nga përqendrimi te rruga, edhe në rastet kur sjellja e drejtuesit të automjetit duket e pandryshuar.
Ekspertët theksojnë se jo gjithmonë rritja e aktivitetit mendor gjatë drejtimit është pozitive, pasi shpërndarja e vëmendjes mund të ndikojë në sigurinë e udhëtimit.
Sfida e drejtimit autonom
Sipas psikologes Giannini, kjo çështje merr një rëndësi edhe më të madhe në perspektivën e zhvillimit të automjeteve autonome.
Me përhapjen e kësaj teknologjie, drejtuesit mund të kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në një rol pasiv, të ngjashëm me atë të një pasagjeri, duke ndërhyrë vetëm kur sistemi kërkon ose kur lind një situatë e papritur.
Megjithatë, kjo gjendje e vazhdueshme pritjeje dhe gatishmërie mund të jetë e lodhshme për trurin dhe të shkaktojë ankth, pasi njeriu duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për të marrë kontrollin në rast nevoje.
Giannini vlerëson gjithashtu se reduktimi i aktiviteteve të koordinimit dhe vendimmarrjes së vazhdueshme, të cilat aktivizojnë korteksin prefrontal gjatë drejtimit, mund të sjellë me kalimin e kohës një zbehje të këtyre proceseve mendore.
Sipas saj, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht humbjen e aftësive, por mund të çojë në dobësimin e tyre si pasojë e përdorimit më të rrallë.
“Truri e mban veten aktiv duke e përdorur, jo duke qëndruar sa më shumë në gjendje relaksi”, thekson psikologia.
Në këtë këndvështrim, sfida e së ardhmes nuk lidhet vetëm me sigurinë dhe efikasitetin e automjeteve autonome, por edhe me mënyrën se si kjo teknologji do të ndikojë në aktivitetin mendor dhe aftësitë njohëse të njeriut.