E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Kronikë e paralajmëruar”- Vangjeli: Elisa është shembulli që Rama po kërkon të bëjë para zgjedhjeve!

“Kronikë e paralajmëruar”- Vangjeli: Elisa është shembulli që Rama po kërkon të bëjë para zgjedhjeve!

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog”, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe pozicionin e Elisa Spiropalit, duke argumentuar se rasti i saj shkon përtej një përplasjeje të mundshme me Belinda Ballukun.

Sipas Vangjelit, lëvizjet e fundit përbëjnë një mesazh politik që kryeministri Edi Rama po synon të japë brenda partisë disa muaj para zgjedhjeve vendore, veçanërisht për strukturat dhe figurat drejtuese.

“Elisa është shembulli që Rama do të dërgojë në atë parti tash e mbrapa, gjashtë apo shtatë muaj përpara zgjedhjeve lokale, që janë një nga provat më të rëndësishme elektorale, sidomos për Tiranën. Është një mënyrë për t’i treguar të gjithëve se, nëse mund të veprohet ndaj një prej njerëzve më të afërt të tij të viteve të fundit, nuk do të kishte hezitim të veprohej njësoj me këdo tjetër”, u shpreh Vangjeli.

Vangjeli tha se zhvillimet e javës së kaluar krijuan përshtypjen e një fronti të ri politik brenda kampit socialist.

Ai iu referua deklaratës publike të Spiropalit, e cila, sipas tij, kishte veçuar Edi Ramën si njeriun me të cilin ndante të njëjtin vizion për Shqipërinë europiane, ndërsa kishte drejtuar kritika ndaj Belinda Ballukut.

Në të njëjtën kohë, Vangjeli përmendi edhe mesazhin publik të Erion Veliajt nga paraburgimi, i cili sipas tij kishte drejtuar akuzat ndaj Ballukut, duke e lënë jashtë përplasjes direkte kryeministrin.

“U duk sikur, duke e mënjanuar Ramën nga kjo histori, po tentohej të krijohej një tjetër qasje politike. Kjo të krijonte përshtypjen e një koordinimi në distancë mes aktorëve të përfshirë në këtë histori”, tha ai.

Duke folur për qëndrimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ndaj debateve publike dhe akuzave politike, Vangjeli vlerësoi se ajo ka ndjekur një strategji të ndryshme nga shumë zyrtarë të tjerë të përballur me hetime apo akuza.

“Balluku ka bërë përjashtim nga shumë politikanë të tjerë. Ndërsa të tjerët kanë zgjedhur të reagojnë publikisht, të sulmojnë akuzat apo të japin shpjegime, ajo zgjodhi një bunker heshtjeje. Praktikisht nuk ka pasur ndërhyrje publike prej saj për një kohë të gjatë”, u shpreh analisti.

Më tej, Vangjeli tha se zhvillimet aktuale lidhur me Spiropalin nuk janë të papritura, por pjesë e një historie që sipas tij ka nisur kohë më parë.

“Ky nuk është një zhvillim i gjashtë muajve të fundit. Është një histori më e hershme, një kronikë e paralajmëruar. Ajo që po shohim sot është vazhdimësia e një procesi që ka nisur prej kohësh”, deklaroi ai.

Lini një koment