E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Muça: Socialistët kanë ‘rrokur prozhektorët’. Elisa e di se çfarë i duhet Ramës tani

Muça: Socialistët kanë ‘rrokur prozhektorët’. Elisa e di se çfarë i duhet Ramës tani

Zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe lëvizjet e politike, veçanërisht largimi i ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, jashtë grupit parlamentar të PS-së, kanë qenë në qendër të vëmendjes së emisionit “Trialog” në RTSH, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani.

I ftuar në studio për të analizuar këto zhvillime, analisti Flogert Muça u shpreh se lëvizjet e fundit brenda mazhorancës dëshmojnë se “socialistët kanë rrokur prozhektorët”, duke e mbajtur agjendën publike të fokusuar te figurat e tyre kryesore. Sipas tij, brenda partisë ekziston një pakënaqësi e konsiderueshme e socialistëve të thjeshtë, të cilët ndjehen të anashkaluar nga emërimet e herëpashershme në qeveri dhe drejtori, pavarësisht pranisë së “njerëzve super të kualifikuar brenda partisë”.

Duke u ndalur te roli dhe e ardhmja politike e Elisa Spiropalit, Muça vlerësoi se ajo zotëron një intuitë të fortë politike dhe njeh dinamikat e brendshme të partisë si pak kush tjetër.

“Elisa e di çfarë i duhet Ramës në këtë moment dhe Rama e di. Që në tokën djerrë që ka në Partinë Socialiste, i vetmi filiz atje që mund të rritet dhe mund të bëhet një pemë në një lëndinë, mund të jetë Elisa Spiropali”, u shpreh ai, duke shtuar se një qasje e tillë krijon një situatë fitore-fitore (win-win situation), ku socialistët e pakënaqur afrohen sërish përmes një figure të njohur.

Analisti e vuri theksin te mënyra se si kryeministri Edi Rama menaxhon pushtetin dhe ekuilibrat e brendshëm në momente krizash apo tensionesh. Sipas tij, pavarësisht raporteve tradicionale të besimit me figurat më të afërta të ekzekutivit, në raste pakënaqësie publike mazhoranca ka nevojë për një “valvul shfryrëse”.

Duke përdorur një analogji me lojën e shahut, Muça e cilësoi strukturën e lartë të partisë si një sistem ku mbreti mbrohet përmes lëvizjeve të koordinuara të figurave kryesore.

“Mbreti si në një tabelë shahu dhe këto janë barrierat. Mbretëresha nga njëra anë që bën shumë lëvizje, e mbron mbretin, por nga ana tjetër edhe lojtarja tjetër Spiropali bën lëvizjet e saj, të cilat duken sikur po shkojnë drejt mbretit, por në fakt e mbrojnë atë”, u shpreh Muça, duke hedhur dritë mbi strategjinë e brendshme të komunikimit dhe orientimit të vëmendjes publike nga ana e mazhorancës.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment