Analiza e Kategorisë së Parë: Java e 11-të solli tension dhe dhunë, Besa është “mbretëresha” e fazës së parë
Faza e parë e Kategorisë së Parë është mbyllur me një javë të 11-të plot emocione, përmbysje dhe rezultate surprizë. Besa ka marrë kryesimin e renditjes pas fitores në transfertë ndaj Kastriotit, ndërsa Iliria ka pësuar një humbje të papritur në Lezhë, duke ndërprerë serinë prej gjashtë fitoresh radhazi.
Të dyja skuadrat kanë nga 21 pikë, por kavajasit e mbyllin fazën në vendin e parë falë golavarazhit më të mirë. Pas tyre qëndron Pogradeci me 20 pikë, ndërsa Bylisi, Kukësi, Flamurtari dhe Besëlidhja mbeten në një distancë të afërt. Në fundin e tabelës, Oriku ka marrë fitoren e parë, ndërsa kriza e Sopotit ka sjellë edhe largimin e trajnerit Rraman Hallaçi.
ORIKU 1 – KUKËSI 0
Fitorja e parë sezonale më në fund ka ardhur për Orikun, që mposhti Kukësin me rezultatin minimal 1-0. Një sukses me shumë vlerë për skuadrën bregdetare, e cila pas 10 javësh pa fitore arrin të marrë tri pikët e para. Golin vendimtar e realizoi Roland Shkreli në minutën e 43-të, duke shpërblyer paraqitjen e mirë të vendasve. Oriku tregoi grintë dhe vendosmëri, ndërsa Kukësi u largua me një humbje të papritur, që i kushton në garën për kreun. Por kjo përballje nuk u karakterizua vetëm nga rezultati. Në pushimin e ndeshjes pati një incident të rëndë, me përplasje fizike mes pjesëtarëve të dy skuadrave. Klubi i Kukësit reagoi me një deklaratë zyrtare, ku denoncoi dhunën ndaj futbollistëve brazilianë Paulinjo dhe Alison, duke publikuar edhe pretendimet për dëmtimet e tyre. Verilindorët bënë të ditur gjithashtu se kishin depozituar kallëzim në polici. Një episod që ka lënë në hije një fitore historike për Orikun, i cili tashmë ka pesë pikë, por mbetet në fundin e klasifikimit.
BURRELI 0 – POGRADECI 1
Pogradeci ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Burrel, duke triumfuar 1-0 dhe duke konfirmuar objektivat në garën e kreut. Pas suksesit në Kupë, trajneri Dritan Mehmeti e ka nisur me fitore edhe aventurën në kampionat. Liqenorët u treguan më të kujdesshëm në fillim, por gradualisht morën kontrollin e lojës, duke gjetur golin vendimtar në minutën e 28-të. Pas një goditjeje këndi, Godsuill Çinuendu u shkëput bukur në zonë dhe me kokë mposhti portierin vendas. Ky ishte goli i pestë sezonal për sulmuesin nigerian, i cili vazhdon të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës pogradecare. Me këtë fitore, Pogradeci ngjitet në kuotën e 20 pikëve, vetëm një pikë larg dyshes kryesuese. Për Burrelin, ndërkohë, situata bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Matjanët pësojnë një tjetër humbje dhe mbeten në vendin e 11-të me shtatë pikë, në zonën e rënies nga kategoria.
SOPOTI 0 – KORABI 2
Korabi është rikthyer te fitorja, duke triumfuar 2-0 në transfertën ndaj Sopotit. Një sukses i rëndësishëm për dibranët, që kanë lënë pas rezultatet negative dhe shohin më pranë zonën e skuadrave pretendente për vazhdimësinë. Xhorxh Uallace zhbllokoi rezultatin që në minutën e 13-të, ndërsa Hernan Reçi vulosi tri pikët në minutën e 93-të. Për Sopotin, kjo humbje ka sjellë pasoja direkte. Kriza e rezultateve ka detyruar trajnerin Rraman Hallaçi të japë dorëheqjen, menjëherë pas përfundimit të takimit. Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia besojnë skuadrën Lorenc Pashjes, i cili do të ketë detyrën e vështirë të rikthejë rezultatet pozitive. Librazhdasit kanë vetëm shtatë pikë pas 11 javësh dhe ndajnë të njëjtën kuotë me Burrelin, duke e bërë situatën në fundin e tabelës gjithnjë e më të vështirë.
BESËLIDHJA 2 – ILIRIA 1
Goditja e javës erdhi në Lezhë, ku Besëlidhja përmbysi Ilirinë me rezultatin 2-1, duke i shkaktuar kryesuesve të atëhershëm humbjen e parë pas gjashtë fitoreve radhazi. Fushëkrujasit e nisën mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 44-t me Adenijin, duke krijuar përshtypjen se do të vijonin marshimin drejt kreut. Megjithatë, pjesa e dytë ndryshoi gjithçka. Dalja me karton të kuq e kapitenit Brajan Selmani në minutën e 61-të, pas vendimit të gjyqtarit Enea Jorgji, ndikoi drejtpërdrejt në ekuilibrat e lojës. Lezhjanët shfrytëzuan epërsinë numerike dhe fillimisht barazuan me Ogungbiren në minutën e 69-të. Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Hila shënoi në minutën e 90+3-të, duke kompletuar përmbysjen dhe duke i dhuruar tri pikë të arta skuadrës së drejtuar nga Josa. Një sukses që konfirmon ambiciet e Besëlidhjes, tashmë në kuotën e 17 pikëve, ndërsa Iliria humbet kreun dhe duhet të reagojë në fazën e dytë. Nga ana tjetër, fushëkrujasit kanë kontestuar ashpër gjykimin e Jorgjit, duke e konsideruar vendimtar kartonin e kuq të kapitenit të tyre.
KASTRIOTI 1 – BESA 2
Besa e ka mbyllur fazën e parë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore të madhe 2-1 në transfertë ndaj Kastriotit. Një sukses me përmbysje, që i ngjit kavajasit në vendin e parë me 21 pikë, po aq sa Iliria, por me golavarazh më të mirë. Debutimi i trajnerit Sokol Neziri në stolin e Kastriotit nuk pati rezultatin e dëshiruar, ndërsa krutanët kanë shumë rezerva për vendimin e arbitrit Daniel Vrapi në fundin e takimit. Ndeshja nisi me gol për vendasit. Që në minutën e parë, Beshiraj përfitoi nga një aksion i bukur i Idrizit dhe Hasës, duke kaluar Kastriotin në avantazh. Besa reagoi në minutën e 31-të, kur Henry Marku barazoi me një goditje nga jashtë zone, pas kombinimit me Prengajn. Pjesa e dytë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e fitores. Ai erdhi në minutën e 90+1-të, kur gjyqtari Vrapi akordoi penallti për një ndërhyrje ndaj Bianor Netos në zonë. Vendimi shkaktoi protesta të forta nga krutanët, por Redon Danaj u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur përmbysjen. Kështu, Besa merr një fitore me peshë të dyfishtë, ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e nëntë me vetëm 11 pikë.
FLAMURTARI 2 – BYLIS 2
Përballja mes Flamurtarit dhe Bylisit, dy skuadrave me pretendime për ngjitjen në Superiore, përfundoi në barazim 2-2. Një ndeshje me ritëm, katër gola dhe shumë emocione, ku ballshiotët kaluan dy herë në avantazh, por nuk arritën ta ruanin fitoren. Bylisi e nisi më mirë dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 15-të me Pedro, ndërsa Flamurtari reagoi shpejt. Në minutën e 21-të, Denis Pjeshka riktheu baraspeshën, duke i dhënë përgjigjen e parë miqve. Në pjesën e dytë, Ergi Hodo realizoi një gol spektakolar në minutën e 60-të, duke kaluar sërish Bylisin në avantazh. Megjithatë, kapiteni Pjeshka kishte rezervuar edhe një tjetër goditje për ballshiotët. Në minutën e 83-të, pas një goditjeje këndi dhe devijimit të Gjatës, ai dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2-2. Një pikë që nuk kënaq plotësisht asnjërën skuadër, pasi të dyja humbën mundësinë për t’iu afruar më shumë kreut. Bylisi e mbyll fazën e parë pa asnjë humbje, por me shtatë barazime, ndërsa Flamurtari renditet i gjashti me 17 pikë.