E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Cvetkoviq: Serbia duhet ta pranojë realitetin, Kosova nuk mund të mbetet peng i pretendimeve të Beogradit

Cvetkoviq: Serbia duhet ta pranojë realitetin, Kosova nuk mund të mbetet peng i pretendimeve të Beogradit

Njëzet vjet pas miratimit të Kushtetutës së vitit 2006, Serbia vazhdon të përballet me një hendek të thellë mes pretendimeve të saj kushtetuese për Kosovën dhe realitetit institucional në terren.

Në një iniciativë civile drejtuar Asamblesë Kombëtare të Serbisë, kërkohet hapja e një debati institucional dhe publik për pozicionin kushtetues të Kosovës, detyrimet ndërkombëtare të Beogradit, hapjen e arkivave të shërbimeve të sigurisë dhe përgjegjësinë e shtetit ndaj personave të zhvendosur, veteranëve dhe viktimave të konflikteve.

Autori i iniciativës, Luka Cvetkoviq, në një shkrim të publikuar në median serbe Radar, argumenton se çështja e Kosovës nuk mund të trajtohet më vetëm si çështje territori dhe identiteti kombëtar, por duhet të shihet edhe përmes konsistencës ligjore, përgjegjësisë demokratike dhe detyrimeve që Serbia ka marrë përsipër.

Ai thotë se, Serbia prej dy dekadash ruan një dispozitë kushtetuese që e përcakton Kosovën si pjesë të territorit të saj, duke parashikuar autonomi thelbësore, ndonëse që nga viti 1999 nuk ushtron pushtet efektiv në Kosovë dhe pas vitit 2008 në vend janë zhvilluar institucione që ushtrojnë funksione legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe të sigurisë.

Cvetkoviq thekson se kjo mospërputhje kërkon një shqyrtim serioz institucional, pasi, sipas tij, një shtet që synon të mbështetet në sundimin e ligjit nuk mund të mbajë pafundësisht dallimin ndërmjet asaj që përcakton Kushtetuta dhe asaj që institucionet e tij mund të zbatojnë në praktikë.

Ai rikujton se Kushtetuta e Serbisë u miratua në vitin 2006 përmes një referendumi në të cilin shumica shqiptare në Kosovë nuk mori pjesë, duke ngritur kështu çështjen e legjitimitetit demokratik të dispozitave që përcaktojnë statusin kushtetues të Kosovës.

Një tjetër çështje që ai e vë në pah është fakti se neni 182 i Kushtetutës së Serbisë parasheh autonominë thelbësore të Kosovës, ndërsa thelbi i saj do të duhej të rregullohej përmes një ligji të veçantë, i miratuar sipas procedurës për ndryshimin e Kushtetutës. Megjithatë, ky ligj nuk është miratuar as pas dy dekadash.

Për këtë arsye, autori kërkon që ekspertët dhe institucionet serbe të shqyrtojnë nëse bëhet fjalë për një detyrim kushtetues të papërmbushur, një dispozitë që nuk mund të zbatohet më në praktikë apo për një situatë që kërkon ndryshime kushtetuese.

Detyrimet nga dialogu Kosovë-Serbi

Në shkrim trajtohen edhe detyrimet ndërkombëtare të Serbisë, veçanërisht ato që burojnë nga procesi i dialogut me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Cvetkoviq përmend Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të vitit 2023, duke kërkuar përcaktimin e saktë të statusit të tyre juridik, fushëveprimit të detyrimeve dhe pasojave të moszbatimit.

Ai vlerëson se nuk është e drejtë që çdo dokument i dialogut të trajtohet automatikisht si traktat ndërkombëtar i ratifikuar, por as që Serbia të injorojë detyrimet që ka marrë përsipër dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Në këtë kontekst, autori rikujton edhe mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo Kornizën Kushtetuese të atëhershme të UNMIK-ut.

Sipas Cvetkoviqit, fakti që vetë Serbia kishte iniciuar procedurat në këtë gjykatë, por mori një mendim që nuk konfirmoi pritjet e saj juridike, duhet të shërbejë si arsye për rishikimin e strategjisë së deriatëhershme.

Kërkohet hapja e arkivave të shërbimeve të sigurisë

Një ndër kërkesat kryesore të iniciativës është edhe qasja në dokumentet arkivore të shërbimeve të sigurisë serbe, të cilat dokumentojnë ngjarjet në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës 1981-2010.

Autori kërkon që dokumentacioni i ish-Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, strukturave ushtarake të sigurisë dhe institucioneve të tjera shtetërore t’i nënshtrohet një procesi sistematik të inventarizimit, shqyrtimit të klasifikimit dhe qasjes së rregulluar me ligj.

Ai argumenton se pa qasje në dokumentet shtetërore, shoqëria nuk mund të krijojë një pasqyrë të plotë të vendimeve që i paraprinë dhe pasuan konfliktin, funksionimit të institucioneve dhe përgjegjësisë për pasojat e tyre.

Cvetkoviq thekson se hapja e arkivave nuk nënkupton fajësim kolektiv apo publikim arbitrar të të dhënave konfidenciale, por krijimin e një mekanizmi që mundëson vërtetimin e fakteve, mbrojtjen e viktimave dhe familjeve të tyre dhe mbikëqyrjen e pavarur të vendimeve për klasifikimin e dokumenteve.

Në këtë drejtim, ai i referohet edhe nenit 39 të Ligjit për materialet arkivore dhe veprimtarinë arkivore në Serbi, i cili parasheh që qasja në materialet dhe dosjet e krijuara nga shërbimet e sigurisë të rregullohet me një ligj të veçantë.

Viktimat dhe personat e zhvendosur

Iniciativa, sipas autorit, nuk duhet të kufizohet vetëm në marrëdhëniet politike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por duhet të përfshijë edhe trajtimin e pasojave të luftës për të gjitha komunitetet.

Ai përmend largimin e qindra mijëra njerëzve nga Kosova gjatë dhe pas konfliktit, përfshirë serbët, romët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera jo-shqiptare, ndërsa rikujton se shqiptarët e Kosovës gjatë luftës përjetuan dëbime masive, vrasje, dhunë seksuale dhe shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, shteti serb duhet të sigurojë mbrojtje efektive për të drejtat e personave të zhvendosur, përfshirë pronën, strehimin, qasjen në drejtësi dhe integrimin social.

Ai kërkon gjithashtu mbështetje shëndetësore, psikosociale, ligjore dhe materiale për veteranët e luftës dhe familjet e viktimave.

Cvetkoviq kritikon përdorimin e përvojave të viktimave si argument politik për dekada, ndërkohë që nevojat e tyre konkrete mbeten të pazgjidhura.

Ai vlerëson se përgjegjësia historike nënkupton aftësinë për të folur njëkohësisht për vuajtjet e qytetarëve të vet dhe për krimet e kryera ndaj të tjerëve, duke theksuar se njohja e një viktime nuk e zvogëlon vuajtjen e një tjetre.

Identiteti i Serbisë dhe e ardhmja evropiane

Në pjesën përmbyllëse të shkrimit, autori argumenton se identiteti politik i Serbisë nuk duhet të ndërtohet mbi mirëmbajtjen e përhershme të një konflikti të pazgjidhur, por mbi zhvillimin e institucioneve, transparencën dhe përgjegjësinë demokratike.

Sipas tij, Serbia nuk duhet të zgjedhë ndërmjet kujtesës historike dhe së ardhmes evropiane, por duhet të bëjë dallimin ndërmjet një qëndrimi të përgjegjshëm ndaj së kaluarës dhe përdorimit të vazhdueshëm të saj për të justifikuar dështimet aktuale politike.

Ai thekson se pranimi i kufijve të pushtetit politik dhe institucional të Serbisë nuk përbën poshtërim kombëtar, por është parakusht për një shtetësi të përgjegjshme.

Në këtë kuadër, Cvetkoviq kërkon që Parlamenti i Serbisë të hapë një debat për pasojat ligjore të situatës aktuale, të shqyrtojë ndryshimet e mundshme kushtetuese dhe legjislative dhe të sigurojë mbikëqyrje publike mbi politikat që kanë pasoja afatgjata për shoqërinë.

Ai përfundon se Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht një hapësirë ku Serbia pretendon sovranitet, por nuk ushtron pushtet institucional, ndërsa paralelisht parashikon autonomi pa krijuar mekanizmin ligjor për zbatimin e saj.

Sipas tij, hapja e një debati të tillë do të mundësonte fillimin e një qasjeje tjetër të Serbisë ndaj së kaluarës, Kosovës dhe së ardhmes së saj politike.

Lini një koment