Rrënimet në Ujman, Prattipati takon Pacollin: Ambasada e SHBA-së kërkon respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore
E ngarkuara me punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, u takua me ministren e Mjedisit, Fitore Pacolli, për të diskutuar mbi qeverisjen mjedisore dhe stabilitetin rajonal, siç njofton KosovaPress. Për takimin njoftoi Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Sipas ambasadës, ato diskutuan rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit, duke garantuar njëkohësisht respektimin e procedurave të rregullta ligjore dhe të drejtave pronësore për të gjitha komunitetet.
Takimi vjen pas reagimit të ambasadës lidhur me prishjen e disa shtëpive të ndërtuara në zonën e Liqenit të Ujmanit. Ambasada vlerësoi se zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit ligjor nuk kontribuon në stabilitet.
“Zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit të rregullt ligjor nuk kontribuon në stabilitet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe do t’u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ditë më parë, ministrja Pacolli publikoi një video gjatë rrënimit të një shtëpie përreth Ujmanit, duke njoftuar se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit — katër veranda dhe dy shtëpi. Sipas saj, rrënime ndodhën edhe në Liqenin e Radoniqit, ndërsa në plan janë edhe Batllava dhe Badovci.