“Të jepet sinjal i fortë”- Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama nga Brukseli: BE-ja të sjellë vendet kandidate në tryezë! Jemi në rrugën e duhur
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Bruksel nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Në një prononcim për mediat përpara nisjes së punimeve, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë ngjarje të përvitshme si kulmin e vitit për të gjitha vendet kandidate dhe një moment të hapur e konstruktiv për të ballafaquar idetë mbi të ardhmen.
Sipas Ramës, Bashkimi Europian duhet të tregojë kurajë për të hedhur hapa të drejtë duke i ulur të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar sistemin e meritës për secilin vend, por duke dhënë një sinjal të fortë si për rajonin, ashtu edhe për botën.
I pyetur mbi propozimet për një kornizë më të gjerë integrimi dhe tregun e përbashkët europian, kryeministri theksoi se pikërisht kjo është ajo që ai mbështet dhe kërkon, në mënyrë që i gjithë Bashkimi Europian dhe vendet kandidate të jenë bashkë në tryezë.
“Kështu që për ne është absolutisht e rëndësishme që të jemi këtu në këtë ngjarje të përvitshme dhe në këtë samit të këtij viti, besoj se ka një arsye shumë të mirë për të shtyrë përpara integrimin dhe mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë kurajë për të për të marrë hapa dhe për t’i sjellë të gjitha vendet kandidate përreth tryezës pa ndryshuar sistemin e meritës për çdo vend kandidat, por duke dhënë një sinjal shumë të fortë dhe nga njëra anë për vendet tona dhe për nga ana tjetër për botën. Kështu që kjo është kjo është njësia që kemi sot”, tha Rama.
Lidhur me ecurinë e procesit të negociatave dhe mbylljen e kapitujve, Rama u shpreh se Shqipëria po punon intensivisht çdo ditë me Komisionin Europian dhe se vendi ndodhet në rrugën e duhur sipas planifikimit.
Megjithatë, ai vuri në dukje se ky është një proces me dy drejtime dhe se për një pjesë të punës pritet ende drita jeshile nga Brukseli. “Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, deklaroi kryeministri.
I pyetur nga gazetarët lidhur me hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe nëse kjo përbën një test për vendin, Rama u përgjigj se lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe përbën arsyen kryesore pse vendi duhet të vlerësohet si një kandidat shumë serioz.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedent në rajon dhe është arsyeja precize pse Shqipëria duhet të jetë duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz sepse nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte gjithmonë vendi që trajtohej si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe ku korrupsioni ishte kthyer në sistem. Sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin.
Kështu që korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri dhe kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv…”, tha Rama.