Komisionerja Marta Kos nesër në Tiranë, takim në Kryesinë e Kuvendit për negociatat e anëtarësimit në BE
Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, do të jetë nesër në Shqipëri, ku, siç njofton Shqiptarja.com, do të zhvillojë një takim në Kuvendin e Shqipërisë me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të diskutimeve do të jetë ecuria aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, ndërsa pjesëmarrësit do të ndajnë këndvështrimin e tyre lidhur me sfidat që shoqërojnë këtë proces.
Takimi, me temë gjendjen aktuale të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) dhe do të mbahet nga ora 14:45 deri në 16:10, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Aktiviteti do të nisë me përshëndetjet e bashkëkryetarëve të KKIE-së, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe të komisioneres Marta Kos.
Më pas diskutimet do të vijojnë me përfaqësuesit e grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, ndërsa fjalën përmbyllëse do ta mbajë komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.