“Lufta jonë ndaj korrupsionit, e paprecedentë në rajon”, Rama nga Brukseli: Nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor ka folur për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë.
Sa i përket procesit të integrimit dhe mbylljes së kapitujve të negociatave, Rama deklaroi se Shqipëria po punon intensivisht çdo ditë në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe se procesi po ecën sipas planifikimit.
Megjithatë, kreu i qeverisë theksoi se negociatat janë një proces me dy drejtime, duke nënvizuar se për vijimin e disa etapave vendi pret ende miratimin paraprak nga Komisioni Evropian.
“Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse, siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë një test për Shqipërinë, kryeministri vlerësoi se lufta kundër korrupsionit që po zhvillohet në vend është e paprecedentë në rajon.
Sipas tij, pikërisht këto zhvillime duhet ta bëjnë Shqipërinë një vend kandidat serioz në sytë e Bashkimit Evropian.
Rama theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një realitet ku korrupsioni dhe kultura e pandëshkueshmërisë konsideroheshin probleme sistemike, në një situatë ku vetë institucionet po luftojnë këto fenomene.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe është arsyeja e saktë pse Shqipëria duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte gjithmonë vendi që trajtohej si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe ku korrupsioni ishte kthyer në sistem, sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se çdo çështje duhet të trajtohet përmes procedurave të duhura ligjore, duke nënvizuar se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin.
“Korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv”, përfundoi Rama.