Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, viziton nesër Tiranën, takime me Ramën, Kuvendin dhe pjesëmarrje në forumin rajonal
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, do të zhvillojë nesër, të enjten, më 26 nëntor, një vizitë zyrtare në Tiranë, me fokus ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe investimet rajonale.
Sipas agjendës zyrtare, vizita e zyrtarës së lartë evropiane përfshin takime të nivelit të lartë institucional, si dhe pjesëmarrjen në dy aktivitete të rëndësishme ekonomike e rajonale që mbahen në kryeqytet.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Komisionerja Kos do të pritet në një takim nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Po ashtu, ajo do të jetë e pranishme në Parlamentin e Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në një takim mbi procesin e negociatave të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe do të zhvillojë një takim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian.
Përtej agjendës bilaterale me institucionet shqiptare, vizita e Komisioneres së Zgjerimit lidhet edhe me bashkëpunimin ekonomik në rajon. Gjatë ditës së premte (27 nëntor), Marta Kos do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalim në Forumin e Liderëve të Planit të Rritjes dhe Investimeve Rajonale.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.