BM – Amazon hap platformë online për shitjen e makinave
LONDËR, 25 nëntor /ATSH – AA/ – Kompania Amazon njoftoi sot se do të lançojë platformën e saj online për shitjen e automjeteve “Amazon Autos”, në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të vitit 2027, duke shënuar zgjerimin e parë të shërbimit jashtë SHBA-së.
“Hyundai” do të ofrojë automjete të reja dhe makina të përdorura të certifikuara që në momentin e lançimit ndërsa kompania britanike e tregtimit të automjeteve “Vertu Motors” do të listojë makina të përdorura. Më vonë, platformës pritet t’i bashkohen edhe grupe të tjera shitësish.
Blerësit do të mund të kërkojnë automjete, të shohin çmimet paraprake pa tarifa të fshehura, të marrin vlerësime të menjëhershme për makinat e tyre aktuale, të shqyrtojnë mundësitë e financimit dhe të rezervojnë automjete online. Përfundimi i blerjes do të bëhet fizikisht në pikat e shitjes së automjeteve.
Modelet e para të “Hyundai”-t në platformë do të përfshijnë automjete elektrike, hibride dhe me benzinë, si IONIQ 5, KONA dhe i20. Modeli i ri kompakt plotësisht elektrik IONIQ 3 pritet t’i bashkohet platformës në fillim të vitit 2027.
“Amazon Autos” u lançua në dhjetor të vitit 2024 në 48 qytete amerikane, në bashkëpunim me “Hyundai”-n. Aktualisht, shërbimi operon në më shumë se 150 qytete dhe bashkëpunon me mijëra shitës që përfaqësojnë 35 marka automjetesh.
Drejtori ekzekutiv i “Hyundai”-t, Jose Munoz tha se 78 për qind e shitjeve të prodhuesit të ndikuara nga Amazon në SHBA ishin realizuar nga klientë që më parë nuk kishin blerë automjete të kësaj marke. Amazon bëri të ditur se 69 për qind e blerësve amerikanë në platformë nuk e kishin marrë më parë në konsideratë blerjen e një automjeti nga koncesionari që përzgjodhën përfundimisht.
Amazon nuk bëri të ditur një datë të saktë për lançimin e platformës në Mbretërinë e Bashkuar dhe as kushtet financiare të marrëveshjeve të bashkëpunimit me “Hyundai”-n dhe “Vertu Motors”.