Afganistan – Talebanët ndalojnë përdorimin e emrave të grave në dokumentet zyrtare në provincën e Balkhut
KABUL, 25 nëntor, ATSH/ Autoritetet talebane në provincën veriore të Balkhut, në Afganistan, kanë urdhëruar ndalimin e përdorimit të emrave të grave në dokumentet zyrtare, përfshirë recetat dhe kartelat mjekësore, raporton gazeta spanjolle El País.
Masa, e raportuar fillimisht në një investigim të medias afgane Zan Times dhe të gazetës britanike The Guardian, parashikon që personeli shëndetësor t’u drejtohet pacienteve me emërtimin e përgjithshëm “Bibi”, që do të thotë “gjyshe” ose “grua e moshuar”.
Sipas aktivistes afgane për të drejtat e grave, Lalah Osmany, dëshmitë e mbledhura tregojnë se në disa raste grave u drejtohen edhe me emërtime fyese, si “dhi” apo “lopë”.
Aktivistja e cilëson këtë praktikë si një proces sistematik dehumanizimi.
Mospërdorimi i emrave të grave në dokumentacionin shëndetësor ngre gjithashtu shqetësime për identifikimin e pacienteve dhe rrezikun e gabimeve mjekësore.
Zubaida Akbar, drejtuese e programit për Afganistanin pranë organizatës joqeveritare Femena, shprehu shqetësimin se masa mund të shtrihet në të gjithë vendin, ashtu siç ka ndodhur më parë me kufizime të tjera të vendosura fillimisht në nivel lokal.
Që prej rikthimit në pushtet në gusht të vitit 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të shumta ndaj grave dhe vajzave, duke reduktuar ndjeshëm qasjen e tyre në arsim, punësim dhe jetën publike.