E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Egnatia luan për Shqipërinë, fitorja në Europë nuk i vlen vetëm kampionëve të vendit

Egnatia luan për Shqipërinë, fitorja në Europë nuk i vlen vetëm kampionëve të vendit

Egnatia nuk luan vetëm për objektivat e saj në Ligën e Konferencës. Përballja me Linkoln Red Imps ka rëndësi edhe për futbollin shqiptar, pasi një tjetër fitore e skuadrës rrogozhinase do të sillte pikë të vlefshme për koeficientin e Shqipërisë në renditjen e UEFA-s.

Në një sezon ku rezultatet e klubeve në Europë përcaktojnë pozicionin e vendit në klasifikimin kontinental, çdo sukses merr një peshë të veçantë. Shqipëria ka grumbulluar deri tani 12 pikë në sezonin 2026-2027, me një mesatare prej 3.000 pikësh. Në këtë llogaritje përfshihen rezultatet e katër skuadrave që përfaqësojnë vendin në kompeticionet europiane: Egnatia, Dinamo, Elbasani dhe Vllaznia. Rrogozhinasit kanë dhënë kontributin më të madh, me 6 pikë, duke përfaqësuar gjysmën e totalit të grumbulluar nga klubet shqiptare.

Dinamo ka siguruar 4 pikë, ndërsa Elbasani dhe Vllaznia kanë nga 1 pikë. Një tjetër fitore e Egnatias do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në këtë renditje. Sipas sistemit të llogaritjes së UEFA-s, tri pikët e një fitoreje në fazën e ligës përkthehen në dy pikë për koeficientin e vendit. Meqenëse Shqipëria ka katër klube pjesëmarrëse, ky rezultat do të shtonte 0.500 pikë në mesataren kombëtare. Në këtë mënyrë, koeficienti sezonal do të ngjitej nga 3.000 në 3.500 pikë.

Rëndësia e këtij rezultati shkon përtej një ndeshje të vetme. Koeficienti i UEFA-s përcaktohet nga pikët e grumbulluara prej të gjitha skuadrave të një vendi dhe pjesëtohet me numrin e klubeve pjesëmarrëse. Kjo do të thotë se çdo fitore apo barazim në Europë ndikon në llogaritjen përfundimtare. Sa më shumë pikë të sigurojnë klubet shqiptare, aq më mirë mund të pozicionohet Shqipëria në renditjen sezonale dhe në atë pesëvjeçare, e cila shërben për përcaktimin e kuotave dhe pozicioneve në shortet europiane të sezoneve të ardhshme.

Për Egnatian, sfida me Linkolnin është kështu një mundësi për të vazhduar të shkruajë historinë e saj në Europë, por edhe për të ndihmuar futbollin shqiptar në një objektiv më të gjerë. Një fitore do të rriste bilancin e klubit në këtë edicion dhe do të shtonte pikët e Shqipërisë në klasifikimin e UEFA-s.

Lini një koment