E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›“Nuk ka alternativë veç fitores”, Shiba “kërcënon” Teutën: Ekipi ynë ka kapacitet për të…

“Nuk ka alternativë veç fitores”, Shiba “kërcënon” Teutën: Ekipi ynë ka kapacitet për të…

Përballja e Vorës me Teutën me siguri që do të jetë përballja më interesante e javës së 13-të të Superiores. Nga njëra anë janë durrsakët, të cilët pas ndërrimit të presidencës, këtë sezon duket se e kanë marrë seriozisht dhe kërkojnë titullin kampion.

Nga ana tjetër janë vorakët, të cilët edhe ata, pas rezistencës në elitë gjatë sezonit të tyre të parë historik, këtë sezon kanë oreks pak më të madh. Synimi është të jenë mes gjashtë skuadrave më të mira të elitës. Pas 12 javësh, nuk ka pasur një ecuri siç kërkohej nga presidenca vorake, megjithatë pritshmëritë e saj janë të mëdha për të arritur objektivin.

Ekuilibri – Është e kotë të themi se Vora është favorite, pasi, duke parë përplasjet mes tyre, bilancet janë në ekuilibër të plotë. Kështu që pritet që vorakët të marrin revanshin e ndeshjes së fazës së parë, për të cilën humbja 2-0 në Durrës ka pasur shumë polemika lidhur me gjykimin. Sipas pretendimeve të Vorës, skuadra meritonte më shumë dhe ajo humbje duket si diçka e vjedhur nga ana e durrsakëve.

Prononcimi – Lidhur me ecurinë e Vorës dhe ndeshjen e fundit kundër Tiranës, për “Panorama Sport” flet qendërmbrojtësi vorak, 25-vjeçari Cristian Shiba, i cili po zhvillon sezonin e parë me Vorën dhe njëkohësisht edhe të parin në Shqipëri. Ai është një lojtar i lindur në Itali dhe gjatë gjithë formimit të tij profesional ka pasur shkollën italiane si udhërrëfyese në rrugën e karrierës, të cilën e ka nisur në Itali. Gjatë këtij sezoni ai është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e luajtura deri tani, 12 të tilla, duke u bërë i pazëvendësueshëm në rolin e tij si qendërmbrojtës.

Lidhur me takimin e javës së shkuar kundër Tiranës, ai shprehet: “Ishte një kundërshtar i fortë dhe zotëronte shumë cilësi në vijën sulmuese, ku ne si mbrojtës u vumë disa herë në vështirësi, por ia dolëm me sukses duke mos pësuar gol. Fati në sulm nuk na ndihmoi që të shfrytëzonim rastet e krijuara për të shënuar të paktën një gol. Sigurisht që ky barazim na dhemb, sepse meritonim fitoren dhe ishim përgatitur për atë. Kjo na vështirësoi punën për të qenë më lart në renditje ose të paktën për të mos u thelluar diferenca me gjashtë ekipet e para. Gjithsesi, ne e kemi lënë pas atë ndeshje dhe përqendrimi ynë tani rikthehet te ndeshja e radhës”.

Më tej, Shiba e konsideron ndeshjen që Vora do të zhvillojë kundër Teutës si një përballje pa alternativë tjetër veç fitores, duke u bazuar te kapacitetet që gëzon ekipi i tij. “E konsideroj si një ndeshje vendimtare për ne dhe nuk na lejon asnjë alternativë tjetër, përveç fitores.

Ne e dimë forcën dhe kualitetin e skuadrës sonë. Kapacitetet tona janë të tilla që mund të përballojmë me sukses ekipin durrsak. Pavarësisht synimeve që kanë kundërshtarët, ne përqendrohemi te objektivat tona. Kam besim se në këtë përballje do të realizojmë atë qëllim që kemi: të fitojmë trepikëshin”, ka përfunduar prononcimin e tij qendërmbrojtësi vorak, Cristian Shiba

Lini një koment