Karoglan shfaqet në Slloveni, emri i kroatit të Partizanit lidhet me klubin e njohur për stolin
E ardhmja e Mislav Karoglanit te Partizani mund të shoqërohet me një tjetër zhvillim, pasi emri i trajnerit kroat ka dalë në skenë për të marrë drejtimin e skuadrës sllovene të Muras. Kjo e fundit ka mbetur pa trajner pas ndarjes me Mitja Morc, ndërsa drejtuesit kanë nisur kërkimet për pasuesin e tij.
Karoglan është një nga kandidatët që përmenden në mediat sllovene, ndërkohë që një tjetër emër i preferuar nga tifozët është Ante Šimundža. Megjithatë, rikthimi i këtij të fundit duket i vështirë për shkak të pengesave kontraktuale dhe financiare. Kështu, trajneri i Partizanit është futur në listën e alternativave për pankinën e Muras. Të paktën kështu beson “Sobotainfo”.
NDRYSHIMI – Mura ka nisur kërkimet për trajnerin e ri, pas vendimit për të ndërprerë bashkëpunimin me Mitja Morc. Njëmbëdhjetë ndeshje radhazi në kampionat pa arritur të marrë një fitore kanë bërë që drejtuesit e klubit slloven të ndajnë rrugët me teknikun, ndërsa tashmë në Fazanerija vëmendja është përqendruar te emri që do të marrë drejtimin e skuadrës.
Mes tifozëve ka dëshira për rikthimin e Ante Simundzës, por kjo mundësi duket e vështirë për t’u realizuar. Sipas raportimeve të mediave sllovene, në listën e kandidatëve për pankinën e Muras është edhe trajneri kroat Mislav Karoglan, i cili aktualisht drejton Partizanin e Tiranës.
SIMUNDZA – Rikthimi i Ante Simundzës është një nga dëshirat kryesore të tifozëve të Muras. Ai ka lënë gjurmë te klubi slloven, me të cilin fitoi titullin kampion të Sllovenisë dhe arriti ta kualifikonte skuadrën në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.
Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara nga mediat sllovene, rikthimi i tij në Murska Sobota është aktualisht pak i mundshëm. Pengesa kryesore lidhet me kontratën që trajneri ka ende me Slaskun e Vroclavit në Poloni, edhe pse nuk është më në drejtimin e skuadrës.
Përveç kësaj, kërkesat e tij financiare konsiderohen mbi mundësitë aktuale të klubit slloven.
KAROGLAN – Një tjetër emër që po qarkullon për të marrë drejtimin e Muras është Mislav Karoglan. Trajneri 44-vjeçar kroat është aktualisht në krye të Partizanit të Tiranës dhe, sipas raportimeve të Sportklub, konsiderohet një nga kandidatët për pankinën e skuadrës sllovene.
Karoglan ka një eksperiencë të larmishme në karrierën e tij si trajner, pasi ka drejtuar edhe Ballkanin në Kosovë dhe Sheriff Tiraspolin në Moldavi. Gjithashtu, ai ka qenë në pankinën e Hajdukut të Splitit, ku ka fituar përvojë të rëndësishme në futbollin kroat. Për momentin nuk ka një vendim përfundimtar nga drejtuesit e Muras, por emri i trajnerit të Partizanit është mes alternativave që po shqyrtohen për të zëvendësuar Mitja Morc.