E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Klubi i Serisë A e ka seriozisht, zbulohet formula për Shpendin

Klubi i Serisë A e ka seriozisht, zbulohet formula për Shpendin

Kristian Shpendi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen në futbollin italian. Sulmuesi shqiptar i Çesenas është kthyer në një nga emrat më të spikatur të Serisë B, falë paraqitjeve dhe statistikave mbresëlënëse në këtë sezon, ndërsa interesimi për shërbimet e tij po shtohet.

Sipas raportimeve nga Italia, Kaljari po ndjek seriozisht nga afër situatën e bomberit kuqezi. Shpendi po kalon një formë fantastike, me 12 gola të realizuar në 13 ndeshje me fanellën e Çesenas, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më produktivë të kampionatit. Paraqitja e fundit ishte spektakolare. Me një tripletë në fitoren 5-1 ndaj Askolit, sulmuesi shqiptar konfirmoi momentin e jashtëzakonshëm që po kalon, duke arritur për të tretin sezon radhazi shifrën dyshifrore të golave.

Një statistikë që nuk ishte regjistruar nga asnjë futbollist i Çezenas në Serinë B që prej sezonit 2007-2008. Interesimi i Kaljarit vjen në një moment delikat për të ardhmen e lojtarit. Kontrata aktuale e Shpendit me klubin bardhezi është e vlefshme deri në vitin 2028, por negociatat për rinovimin deri në vitin 2029 kanë ngecur.

Palët nuk kanë gjetur ende një marrëveshje për kushtet e reja financiare. Për këtë arsye, drejtuesit e Çezenas po shqyrtojnë edhe mundësinë e një transferimi që në merkaton e janarit, por pa humbur menjëherë shërbimet e sulmuesit. Formula që po merret në konsideratë është shitja e kartonit në merkaton dimërore, me Shpendin që do të qëndronte i huazuar te Çezena deri në fund të sezonit.

Lini një koment