E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Bardhi e Balliu kthehen në Kuvend, PD: Përgjegjësi ligjore për firmëtarët e përjashtimit

Bardhi e Balliu kthehen në Kuvend, PD: Përgjegjësi ligjore për firmëtarët e përjashtimit

Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu mund të rikthehen në punimet e Kuvendit, pasi Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin me 60 ditë të dy deputetëve demokratë. Në arsyetimin e saj, trupa vlerëson se masa disiplinore nuk përputhet me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

Përjashtimi me dy muaj parashikohet në rastet kur parlamentarët ndezin lëndë piroteknike ose janë përsëritës të akteve të dhunës në sallë, rrethana që nuk janë konstatuar nga gjykata.

Pas vendimit reagoi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi pengimin e deputetëve të opozitës për të ushtruar mandatin e tyre si cenim të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Askush nuk duhet të mendojë se do të mund të fshihet përgjithmonë pas urdhrit politik për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore. Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij!”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar demokrat paralajmëroi gjithashtu ndjekjen e rrugës ligjore ndaj tre deputetëve socialistë, Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, të cilët firmosën vendimin për përjashtimin.

“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

Vendimi i Gjykatës Administrative u hap rrugën dy deputetëve demokratë të marrin pjesë në seancat plenare dhe në punimet e komisioneve parlamentare, pa pritur përfundimin e afatit 60-ditor të përcaktuar nga Sekretariati i Etikës.

Lini një koment