E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Policia mësyn pranë shkollave, sekuestrohen 40 kg kanabis dhe 1 kg kokainë, 3 në pranga

Policia mësyn pranë shkollave, sekuestrohen 40 kg kanabis dhe 1 kg kokainë, 3 në pranga

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë dhe Lezhë, në kuadër të dy operacioneve kundër trafikut dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në total janë sekuestruar mbi 900 gramë kokainë dhe 40.3 kilogramë kanabis, që dyshohet se do të shpërndaheshin në zona të banuara dhe pranë ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.

Ky është momenti kur tre persona ndalohen në flagrancë nga Policia e Tiranës dhe Lezhës, në kuadër të dy operacioneve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë së paligjshme të narkotikëve. mbi 900 gramë kokainë dhe 40.3 kilogramë kanabis janë sekuestruar, ndërsa hetimet janë shtrirë për gjetjen e rrjetit të furnizimit. Operacioni i parë, i koduar “Shkolla të Pastra”, çoi në arrestimin e një 34-vjeçari, i cili lëvizte me automjet për të shpërndarë lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë, në Kamëz dhe Fushë-Krujë.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Toyota Yaris”, në bulevardin “Nënë Tereza”, policia gjeti 505.6 gramë kokainë, ndërsa 397 gramë të tjera u sekuestruan në banesën e tij. Në total, mbi 900 gramë kokainë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe një celular.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Storm”, në Lezhë, u arrestuan dy persona, 25 dhe 36 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në rrugën e fshatit Selitë, teksa transportonin 40.3 kilogramë kanabis, të ndarë në katër thasë, me destinacion qytetin e Laçit, ku dyshohej se do ta shisnin. Policia sekuestroi gjithashtu një automjet tip “Mitsubishi”, një peshore dhe një celular.

Në javën e fundit duket se ka një rritje të operacioneve në zonat pranë shkollave. Pak ditë më parë edhe në Shkodër u arrestuan 13 persona të cilët shpërndanin lëndë narkotike në lagjet e qytetit apo dhe pranë institucioneve arsimore.

Lini një koment