Batatina: Llapi ka potencial për pesë pozitat e para, synojmë Evropën
Llapi po kalon një periudhë pozitive në Albi Mall Superligë, pasi ka regjistruar tri fitore radhazi dhe ka dhënë sinjale të qarta rikthimi në garën për pozitat e larta të tabelës. Në një intervistë ekskluzive për Futbolli.info, trajneri Tahir Batatina ka folur për ecurinë e skuadrës dhe objektivat deri në fund të kampionatit.
Skuadra e Batatinës e nisi jo mirë këtë edicion, por në tri xhirot e fundit ka marrë maksimumin e pikëve. Fitoren e fundit llapjanët e regjistruan sot si mysafirë ndaj Malishevës, në stadiumin “Liman Gegaj”, ku triumfuan me përmbysje 3:2. Paraprakisht, Llapi kishte mposhtur Vushtrrinë 4:1 në shtëpi në xhiron e 14-të, ndërsa në xhiron e 13-të kishte triumfuar 1:0 në udhëtim ndaj Dukagjinit.
Batatina ka treguar se një nga arsyet kryesore të rezultateve jo të mira në fillim të kampionatit ishin pesë lëndimet e papritura që e goditën skuadrën. “Te Llapi sivjet kanë ndikuar pesë lëndime të papritura. Këtu ishte problemi kryesor. Në momentin që skuadra u kompletua, treguam forcën tonë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, rikthimi i futbollistëve të lënduar dhe përshtatja e përforcimeve të reja me filozofinë e tij të lojës kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive. “Rikthimi i lojtarëve nga lëndimet ka bërë që ne të rikthehemi te rezultatet pozitive, por edhe komponimi i skuadrës në mënyrën më të mirë të mundshme. Transferimet që i kam bërë kanë filluar të futen në filozofinë e skuadrës që kam kërkuar”, ka theksuar Batatina për Futbolli.info.
Llapi aktualisht renditet në pozitën e tetë me 14 pikë, por trajneri beson se skuadra ka potencial për të përfunduar kampionatin në pesë pozitat e para dhe për të siguruar një vend në garat evropiane. “Fakti që kemi tri fitore radhazi, dy prej tyre në udhëtim, e sidomos kjo ndaj një skuadre që është në pozitën e dytë dhe në garë për titullin e kampionit, na bën të besojmë se skuadra ka potencial të jetë në pesë pozitat e para dhe të kërkojë Evropën përmes Kupës ose kampionatit”, është shprehur ai.
Deri në përfundim të fazës së dytë të kampionatit, Llapit i kanë mbetur edhe tri ndeshje: ndaj Drenicës në shtëpi, Ballkanit në udhëtim dhe Feronikelit 74 në shtëpi. Batatina insiston se skuadra duhet të përqendrohet në secilën ndeshje veç e veç, ndërsa pas stinorit vjeshtor do të bëhet analiza për stinorin pranveror, që nis më 6 shkurt. “Me rëndësi është t’i qasemi ndeshjeve një nga një, të marrim rezultate pozitive dhe më pas të bëjmë analizën për sezonin pranveror, për të parë se ku kemi ngecur dhe ku duhet të përmirësohemi”, ka përfunduar ai.