FOKUS – Bursat evropiane forcojnë fitimet, rriten aksionet e kompanive të teknologjisë
FRANKFURT, 27 nëntor /ATSH- DPA/ – Tregjet kryesore financiare në Evropë e mbyllën ditën e sotme me rritje, duke vijuar ecurinë pozitive të një dite më parë.
Rritja u mbështet nga zbutja e shqetësimeve për të ardhmen e kompanive, që zhvillojnë teknologjinë e inteligjencës artificiale.
Bursat e nisën ditën me rritje dhe e ruajtën këtë ecuri deri në mbyllje, duke shënuar rezultatet më të larta deri në fund të tregtimit.
Kontribut në këtë rritje dhanë kryesisht, kompanitë e teknologjisë dhe ato të sektorit minerar.
Gjithashtu, çmimet e bakrit dhe arit u rikuperuan, duke ndihmuar në rritjen e aksioneve të kompanive, që merren me nxjerrjen e mineraleve.
Ndërkohë, shqetësimet për luhatjet në tregjet e lidhura me inteligjencën artificiale, u zbutën pas njoftimit të masave mbështetëse nga autoritetet në Korenë e Jugut dhe Kinë.
Në mbyllje të tregtimit, indeksi DAX i Gjermanisë u rrit me 0,90%, duke arritur në 25 441,24 pikë.
Indeksi FTSE në Londër shënoi rritje prej 0,84%, në 10 698,81 pikë, ndërsa CAC 40 i Francës u rrit me 0,58%, në 8 156,09 pikë.
Edhe indeksi SMI i Zvicrës u mbyll në rritje prej 0,42%, në 14 879,97 pikë.
Në zhvillimet ekonomike, ekonomia e Finlandës u rrit më pak nga sa ishte parashikuar në tremujorin e tretë të vitit, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Statistikave e vendit.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend, u rrit me 0,3% krahasuar me tremujorin paraardhës, pas rritjes prej 0,2% në tremujorin e dytë.
Parashikimi fillestar kishte qenë për një rritje prej 0,5%.
Në Suedi, ekonomia u rrit me 0,5% në tremujorin e tretë, duke shënuar një ritëm më të ngadaltë krahasuar me tremujorin e dytë, kur rritja kishte qenë 1,4%.
Megjithatë, rezultati ishte më i mirë se vlerësimi fillestar, që parashikonte një rritje prej 0,4%.
Ndërkohë, ekonomia franceze shënoi rënie më të madhe nga sa ishte parashikuar.
Sipas të dhënave të rishikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE), Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr me 0,2% në tremujorin e tretë, pasi në tremujorin paraardhës kishte mbetur i pandryshuar. Vlerësimi i mëparshëm për rënien ishte 0,1%.
Në Spanjë, rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve u ngadalësua më shumë nga sa pritej në nëntor, duke arritur nivelin më të ulët të katër muajve të fundit.
Sipas të dhënave paraprake të Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës (INE), çmimet e konsumit u rritën me 4,1% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kundrejt rritjes prej 4,9% në tetor. Ekonomistët kishin parashikuar një ngadalësim të inflacionit në 4,6%.
Edhe inflacioni bazë, i cili mat rritjen e çmimeve, duke përjashtuar disa produkte me çmime që ndryshojnë shpesh, si energjia dhe ushqimet e papërpunuara, u ngadalësua në 2,6%, nga 3,1% që ishte në tetor. /